E Diel, 1 Nëntor 2026

Socialistët marrin drejtimin e këshillit të Bashkisë në Lezhë

LEZHË Është konstituuar këshilli i Bashkisë së Lezhës. Ndërkohë kryetar i bashkisë është rizgjedhur Viktor Tusha, i propozuar nga LSI-ja. Ai nuk ka qenë i pranishëm në mbledhjen e parë, pasi ai ndodhej në Itali. Ndërsa këshilli bashkiak në bazë të votave është konstituuar dje dhe në përfundim ka dalë se opozita e majtë ka 12 këshilltarë, një është i PBDNJ-së dhe një i pavarur, ndërsa pozita aktualisht ka 11 këshilltarë. Në mbledhje kanë marrë pjesë 19 këshilltarë, nga 25 që këshilltarë që përbëjnë këshillin. Gjatë zgjedhjes së kryetarit të këshillit të Bashkisë së Lezhës ka patur mjaft debate nga ana e këshilltarëve, ndërsa mes këtyre debateve është bërë edhe votimi për kryetarin, ku është zgjedhur Agustrin Marku si kryetar i këshillit bashkiak, kryetar i PS-së së Lezhës aktualisht, i cili ka qenë deputet i Kuvendit, si dhe prefekt i Qarkut të Lezhës për një mandat katërvjeçar. Marku ka marrë 16 vota nga të pranishmit, një kundra dhe një abstenim. Sipas përllogaritjeve, ai ka marrë edhe tre vota nga ana e këshilltarëve të djathtë. Ai do drejtojë këshillin bashkiak për katër vite. Nënkryetar i këshillit bashkiak është zgjedhur Qazim Dushkuri, nënkryetar i cili është zgjedhur këshilltari nga Aleanca për të Ardhmen. Ndërsa nga Aleanca për të Ardhmen do të përfaqësojnë këshillin e Bashkisë së Lezhë në Qarkun e Lezhës, Pashk Gjoni për Aleancën për Qytetarin dhe Gjok Noka për Aleancën të Ardhmen. Në këtë mbledhje konstituimi ka marrë pjesë edhe Klevis Coli, jurist i prefekturës, i cili është shprehur se “konstituimi i këshillit të Bashkisë duhej të shtyhej, pasi vendimi nga KQZ-ja është marrë më 1 korrik dhe mbledhja duhej të zhvillohej pesë ditë pas shpalljes së rezultatit. Ndërsa një pjesë e këshilltarëve nuk janë lajmëruar”. Kështu mes debateve është mbyllur konstituimi i këshillit bashkiak të Lezhës, ndërkohë që pritet që në mbledhjen e ardhshme të marrë pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Lezhës, për të bërë betimin para këshilltarëve për mandatin e dytë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›