E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konsujt e Nderit-Basha: Tirana, tërheqëse për investimet e huaja

Tiranë- Një Tiranë tërheqëse për investitoret e huaj, kjo ka qënë edhe kryefjala e takimit mes Konsujve të Nderit të Shqipërisë nëpër botë dhe kryebashkiakut Basha, në kuadër të vizitës së tyre dy ditore në Shqipëri. Kreu i Bashkisë më të madhe në vend duke shprehur falenderimin për punën e bërë nga konsujt për proceset integruese të Shqipërisë ka kërkuar nga ato një rol më aktiv për zgjerimin e marrëdhenieve ekonomike të Shqipërisë me vendet e tjera.

Në terma ekonomike, prezenca juaj ka një vlerë të shtuar. Për një kohë të gjatë me vendet tuaja kemi pasur marrëdhënie për kërkim ndihme dhe asistence, por ne sot shohim mundësinë që vendet tuaja të shikojnë mundësitë ekonomike, për të investuar në Shqipëri.  Këto mundësi janë më të mëdha në Tiranë. Më shumë se 30 pë qind e GBP-së prodhohet këtu, në qytetin më të madh të vendit. Tregu i punës që Tirana përfaqëson, është i ri, i motivuar dhe i kualifikuar. Së bashku me qeverisjen qendrore, po shikojmë çdo mundësi të shkurtimit të barrierave administrative dhe fiskale- ka deklaruar Basha.

Ndër të tjera kreu i bashkisë së Tiranës, Basha i ka njohur Konsujt me projektet e bashkisë duke vënë theksin tek plani urbanistik.

Detyra e parë dhe më e rëndësishme është përfundimi i planit urbanistik – tha Basha . Duke theksuar se për këtë projekt janë angazhuar ekspertë shqiptar dhe botëror.

Kreu i bashkisë më të madhe në vend ka deklaruar se Tirana si model i rritjes ekonomike nuk është një ambicie e parealizueshme.

Tirana duhet të jetë modeli i rritjes ekonomike, për pjesën tjetër të vendit dhe për rajonin dhe kjo nuk është një ambicje e parealizueshme, por bazohet në potencialin që ekziston këtu. Emancipimi i këtyre fuqive dhe vënia e tyre në përdorim është një nga synimet dhe projektet e mia më të mëdha, duke bashkuar të gjithë këto energji në qytet dhe duke i shpalosur ato, me fuqizimin e biznesit dhe kapitalit në qytet, duke u siguruar se projektet tona janë transparente, të qëndrueshme dhe përfituese, publike apo private dhe duke u siguruar se ato janë qartësisht transparente për të ardhmen - shtoi Basha

Nga ana e tyre Konsujt e Nderit të Shqipërisë në botë shprehën angazhimin e plotë të tyre, për të  promovur  Tiranën në vendet e tyre. Duke theksuar se do të nisin bisneset në mënyrë që ta shohin kryeqytetin shqiptar si një mundësi të mirë investimi.

Dorina Bilbili/IDEA

Shkrime të tjera me interes:

  1. Basha: Qëllimi, një Tiranë tërheqëse për bizneset
  2. Festat e Nëntorit, Konsujt e Nderit vizitojnë Shqipërinë
  3. Konsujt e Nderit – Berisha: “Shqipëria vend i zhvilluar”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›