Konsullata Italiane në Vlorë lehtëson procedurat e vizave për biznesin
Më shumë se 80 biznese vlonjate që kanë xhiron më të madhe tregtare me Italinë nuk do të kenë nevojë për të vendosur datat e takimeve për pajisje me vizë, apo procedura të tjera nëpërmjet “Call Centerit” të Konsullatës, por do të kenë një zyrë të posaçme pranë këtij institucioni. Ky fakt është bërë i ditur dje nga konsulli Italian i vendosur në qytetin e Vlorës, Sergio Strozzi në një takim me kryetarin e degës së tatimeve Gent Hamzaraj si dhe atë të dhomës së tregtisë Edmond Leka. Sipas konsullit Italian, “Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të tatimeve dhe dhomën e tregtisë dhe Industrisë Vlorë me objektivin e rritjes së marrëdhënieve tregtare mes jugut të Shqipërisë e Italisë dhe lehtësimit të vizave për sipërmarrësit që tregtojnë më shumë me Italinë është aktivizuar një ‘Sportel për viza biznesi Shqipëri-Itali’”.
Kreu i OSSH-së, Dollapi jep dorëheqjen nga posti
Drejtori i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Sait Dollapi, dha dje dorëheqjen nga kjo detyrë sipas kushteve të kontratës me kompaninë çeke “ÇEZ”, që ka privatizuar OSSH-në. Pas një mbledhje me drejtuesit e OSSH-së, Dollapi tha për mediat se, "gjatë këtyre 4 viteve dhe veçanërisht gjatë dy viteve të fundit, kur OSSH-ja ka operuar si kompani e pavarur, bashkë me Këshillin Mbikëqyrës, stafin dhe punonjësit në të gjithë vendin, i kemi shërbyer vetëm një qëllimi; mirëmenaxhimit të kompanisë, duke siguruar kështu furnizim 24 orë me energji dhe duke e bërë kompaninë tërheqëse për investitorët e huaj". Sipas tij, gjatë kësaj periudhe OSSH-ja arriti nivele të paarritura kurrë më parë në Shqipëri. "Sot, pas 4 vitesh me shumë sfida të vështira dhe punë të lodhshme, të gjithë bashkë ia dolëm të realizojmë me sukses një prej qëllimeve strategjike të qeverisë shqiptare, privatizimin e OSSH-së nga një prej kompanive më lider në Europë në tregun e energjisë, tek ‘ÇEZ Group’",- nënvizoi Dollapi. OSSH-ja u privatizua pak muaj më parë nga kompania çeke “ÇEZ Group” me një çmim prej 102 milionë euro.
Vihet në punë nënstacioni i tunelit të Kalimashit, të dieën përurimi
Vihet në punë nënstacioni i ri 110 kilovolt i Tunelit të Kalimashit. Ndërtimi tij nisi rreth dy muaj më parë për një furnizim të sigurt dhe permanent me energji elektrike të tunelit me dy galeri si pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Prishtinë. Për ndërtimin e nënstacionit janë investuar nga buxheti i shtetit rreth 50 milionë lekë, që kanë përdorur për godinën dhe infrastrukturën e brendshme, si dhe ndërtimin e linjës elektrike me një gjatësi 8 km. Linja e tensionit të lartë, e cila ka kushtuar rreth 500 mijë dollarë është marrë nga nënstacioni aktual i Kalimashit, ku janë ndërtuar 27 shtylla metalike rreth 30 m të larta me bazament betonarme. Me instalimin e linjës elektrike të nënstacionit të tunelit gjithçka është gati tashmë për ditën e diel kur në Kalimash do të udhëtojnë dy kryeministrat shqiptarë, përkatësisht Thaçi nga porta veriore dhe Berisha nga porta jugore për t‘u takuar në mesin e tunelit ku do të improvizohet rënia e "murit" ndarës.
30 Maj 2009