Var veten me çarçaf 44-vjeçari, i paraburgosur te 313-a
Tiranë - Var veten në qelitë e Burgut 313 një i dënuar me akuzën për nxitje të vetëvrasjes së bashkëshortes se tij. Historia e trishtë e çiftit Hasa në Tiranë, nisur pak ditë pas Vitit të Ri, është mbyllur në mënyrën më tragjike të mundshme. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 10:00 të paradites së djeshme.
Vetëvrasja
Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pohuan dje për mediat se 44-vjeçari Besnik Hasa u vetëvar me çarçaf në krevatin e qelisë së tij. Nisur nga të dhënat paraprake të policisë mbi ngjarjen, Besnik Hasa u gjet i varur me çarçaf dhe i ndjeri e kishte planifikuar që më parë vetëflijimin. Mësohet po ashtu se i dënuari ka shfrytëzuar momentin për të kryer aktin kur ndodhej i vetëm në qeli. Ai është gjetur në momentet e agonisë nga rojet e burgut, të cilët e kanë transportuar me urgjencë drejt spitalit. Por, pavarësisht përpjekjeve të bluzave të bardha për ta mbajtur në jetë, ai nuk ka mundur të mbijetojë.
Besnik Hasa mbahej në dhomat e paraburgimit me akuzën për nxitje të vetëvrasjes së bashkëshortes së tij, Elizabeta Hasa.
Ngjarja
Ngjarja ndodhi më 7 janar të këtij viti. Sipas policisë, bashkëshorti ka deklaruar se nuk ka ndier asgjë në dhomë, ndonëse e shoqja ishte çuar nga krevati në mes të natës. Kishte marrë një shall të leshtë në dollap, e kishte lidhur në një ganxhë mbi dritaren nga brenda dhomës së gjymit. Me shallin kishte formuar një lak dhe me të kishte realizuar vetëvarjen. Besniku pretendon se është zgjuar rreth orës 02:00 pas mesnate duke gdhirë dita e hënë dhe e ka gjetur të vetëvarur. Ai ka lajmëruar të vëllanë që jeton në banesën pranë dhe policinë për ngjarjen. Katër muaj më parë, para se të vetëvritej, Elisabeta kishte denoncuar në Komisariatin Nr. 5 të Policisë së Tiranës se ndaj saj ushtrohej dhunë në mënyrë sistematike, duke kërkuar mbrojtje të menjëhershme. Por, ndërsa policia kishte nisur procedurat për marrjen në mbrojtje të 27-vjeçares, ajo vetë ka tërhequr denoncimin duke deklaruar se ishte pajtuar me të shoqin. Keqtrajtimet sistematike, përveçse e bënë viktimë gruan, hodhën në krahët e fatkeqësisë 4 fëmijët e vegjël 7-13 vjeç, të mbetur jetimë dhe pa asnjë të ardhur.
Falsifikoi kombësinë nga shqiptare në bullgare për të përfituar dokumente
Gjirokastër – Forcat e policisë së Gjirokastrës kanë ndaluar 39-vjeçarin Anesti Kola, lindur dhe banues në Roskovec, pasi figuronte i shpallur në kërkim sepse ndaj tij rëndonte dënimi i gjykatës me 4 muaj burg dhe 400 mijë lekë të rinj gjobë, për veprën penale të “falsifikim të letërnjoftimeve, pasaportave e vizave, parashikuar nga Neni 189/1 i Kodit Penal. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, Kola, në vitin 2006, është kapur në pikën e kalimit të kontrollit kufitar të Kakavijës me një pasaportë të falsifikuar bullgare, ku kishte falsifikuar kombësinë nga shqiptare në bullgare me qëllim përfitimin e dokumenteve të këtij shteti. Kapja e personi shtetasi u bë në banesën e tij në Fier, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative nga ana e specialistëve të policisë së Gjirokastrës.
I fshihej policisë, kapet e dënuara me burg për mashtrim vizash
Gjirokastër – Forcat e policisë kanë ndaluar 53-vjeçaren Minushe Banush Hadëri, lindur dhe banuese në fshatin Kalivaç të Tepelenës, pasi ishte e shpallur në kërkim nga policia për veprën penale të “mashtrimit”, e dënuar edhe nga gjykata me 3 vjet burg. Sipas të dhënave për gazetën, Hadëri 4 vjet më parë, në bashkëpunim me një person tjetër i cili është i shpallur në kërkim, ka mashtruar disa qytetarë nga qarku i Gjirokastrës, duke u premtuar se do t’u nxirrte viza greke në Konsullatën Greke, kundrejt një shume të konsiderueshme lekësh. Po të njëjtin aktivitet ajo ka kryer edhe në Tiranë dhe për këtë arsye Gjykata e Tiranës në bazë të kallëzimeve të bëra nga personat e mashtruar prej saj, ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”, në mungesë. Kapja e 53-vjeçares u bë në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative nga ana e specialistëve të sektorit të luftës kundër krimit ekonomiko-financiar në qytetin e Vlorës.
30 Maj 2009