E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredia e qeverisë për Durrës-Kukës, interesat fluturojnë mbi 13 për qind



Ervin KOÇI

Kredia më e fundit që qeveria shqiptare mori nga bankat private me kushte tregtare, duket se do të ketë pasoja jo të vogla në ekonominë shqiptare në vitet në vijim. Ky ka qenë edhe mendimi i ekspertëve dhe drejtuesve të disa bankave private në vendin tonë, të cilët e kanë gjykuar si aspak të favorshme përqindjen e lartë të interesit më të cilën është marrë kredia prej 250 milionë eurosh. Sipas tyre, marrëveshja që qeveria ka nënshkruar me këto banka parashikon një rritje në vazhdimësi të kredisë e cila do të kalojë vlerën 13 për qind të interesit të saj, pavarësisht asaj aktuale prej 11.3 për qind të publikuar zyrtarisht. Por interesi stratosferik, i ka rehatuar disa banka që veprojnë në Shqipëri, ndërkohë që ka shërbyer si konkurrencë për bizneset dhe individët shqiptarë. Nëse bankat kanë mundësi të kreditojnë qeverinë, ku rreziku është i ulët, me interesa më të larta nga ato që kanë paguar deri më sot bizneset dhe individët, bankat nuk kanë asnjë arsye të kreditojnë me interesa më të lira këto të fundit. Kredia e dhënë për qeverinë, e cila do të ketë një interes real prej minimalisht 11 për qind këtë vit, në një masë të gjerë i është hequr biznesit dhe individëve. Tani këto të fundit detyrohen të paguajnë interesa të ngjashme me ato që qeveria pranon të paguajë me paratë e taksapaguesve.

Pakti

Sipas ekspertëve të huaja të bankave qeveria ka nënshkruar një kontratë ku ka negociuar me bankat kreditore për të pasur një normë të lëvizshme interesi, kurse marzhi do të jetë 9.65 për qind, plus euribor, që aktualisht është nga 1.25 për qind deri në rreth 2 për qind. Kredia, me kushte tepër të shtrenjta, do të shërbejë për financimin e rrugës Rrëshen-Kalimash, pjesë e Durrës-Kukës. Aksi rrugor që po ndërtohet nga "Bechtel&Enka" do të vijojë të mbetet "gropa" e financave të shtetit shqiptar. Qeveria është justifikuar me faktin se tregu bankar i huaj ka mungesë të theksuar parash, për rrjedhojë, kreditë që jepen kanë terma të forta tregtare. Marrëveshja e arritur disa ditë më parë me katër banka për të marrë hua 95 milionë, me interes rreth 11 për qind, tregon edhe një herë nevojën e qeverisë për para, edhe pse pretendon se i ka realizuar të ardhurat në buxhet në masën 100 për qind. Nga marrëveshja, gazeta zbulon të tjera detaje që nuk duken aspak në favorin tonë. Kështu, përveç interesit tepër të lartë në krahasim me tregun e brendshëm, bankat do t‘i mbajnë qeverisë 2 për qind mbi shumën, si menaxhim kredie, përfshi dhe 0.75 për qind tarifa sindikatë. Në total, janë rreth 2 milionë euro që i zbriten shumës 95 milionë, si pasojë e kushteve të vendosura nga bankat. Ministria e Financave argumenton se marrëveshja ka disa avantazhe lehtësuese në pagimin e kredisë, ndërsa i cilëson negociatat të suksesshme, në një kohë kur asnjë vend i rajonit nuk ka mundur të marrë kredi në terma tregtare.

Termat

Kredia është me maturim trevjeçar, por që i jep të drejtën Shqipërisë ta shlyejë para kohe, duke filluar pas një viti nga disbursimi. Interesi i kredisë është variabël dhe përbëhet nga indeksi euribor plus marzhi prej 9.65 për qind. Komisioni i menaxhimit të kredisë është 2 për qind e shumës së disbursuar dhe tarifa sindikale është 0.75 për qind. Ministria e Financave theksoi dje se "interesi është disi i lartë, por në përputhje me interesat e tregut dhe më i ulët sesa interesat që u ofrohen vendeve me profil risku të ngjashëm me të Shqipërisë". Vetë Shehu sqaron se qeveria ka shmangur detyrimin për të paguar mbi 10 milionë euro kosto interesi nga shlyerja e parakohshme, krahasuar me standardet e tregut.

Disavantazhet nga mungesa e kontratës me FMN

Shqipëria është i vetmi vend në rajon, që në kulmin e krizës merr një kredi prej 250 milionë eurosh, me një interes 11 për qind, duke habitur të gjithë ekspertët e financave, pavarësisht të mirave që ky borxh sjell në likuiditetin e sistemit bankar. Ministri i Financave dhe kryeministri i vendit e vlerësuan këtë transaksion si “të artë”, në një kohë që vendet e tjera të rajonit, duke filluar që nga Bosnje-Hercegovina, që mban vendin e fundit në listë për nga zhvillimi ekonomik, kanë arritur që të marrin kredi me një interes katër herë më të ulët. Kredi me kushte lehtësuese janë marrë edhe nga Serbia dhe Rumania, madje janë firmosur edhe një sërë kredish prej miliarda eurosh nga vende të tjera të rajonit me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

30 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›