“Konsullata greke s’është fabrikë vizash”
KORÇE – “Konsullata greke nuk është fabrikë e prodhimit të vizave”. Kështu u shpreh dje, në takimin e parë me autoritetet vendore në Korçë konsulli i Përgjithshëm i Greqisë Theodhoros Kamarinos, i cili sapo ka filluar punën në këtë detyrë. Ai vjen në këtë post pasi ka lënë atë të konsullit në Rusi. Konsulli grek ndodhet për herë të parë në vendin tonë, ndaj ka shprehur dëshirën për të marrë sa më shumë informacion. Ai i ka shprehur kryetarit të Këshillit të Qarkut dëshirën që të ndërtojnë marrëdhënie të mira me organet qeverisëse të Korçës, me qëllim që të zhvillohen marrëdhënie sa më të mira mes dy vendeve. Në qendër të vëmendjes kanë qenë edhe programet e përbashkëta të zhvillimit që janë aplikuar si ato në kuadër të Programit të Intereg 3 dhe së shpejti edhe ato që priten të fillojnë në kuadër të programit të Intereg 4. Milo ka kërkuar nga konsulli grek gjetjen e gjuhës së bashkëpunimit për pajisjen me viza për në Greqi për administratën e tij, por edhe të komunave e bashkive të këtij qarku. Por, Kamarinos i është përgjigjur se: “Konsullata greke nuk është fabrikë prodhimi vizash. Ekzistenca e Konsullatës greke në Korçë ka për qëllim bashkëpunimin dypalësh për zbatimin e programeve kulturore e sociale, të afërta e të perspektivës, me përparësi Programet Interreg, dhënien e ndihmës për komuna dhe bashki për programe të vogla që zgjidhin kërkesat e komuniteteve, etj. Lidhur me vizat, kjo është një procedurë që varet nga sistemi i vizave “Schengen”, jo nga ne”. Konsulli ka premtuar gjithsesi krijimin e lehtësirave dhënien e vizave që ndihmojnë në zbatimin e programeve të përbashkëta për zhvillim. Në fjalën e tij konsulli grek u shpreh se liberalizimin e vizave e sheh të zbatuar pas 18 muajsh. j.gj