Poliklinikat: Duam aparatura
Poliklinikat kanë stafin mjekësor të për të përballuar pacientët, por kanë mungesë të theksuar të aparaturave. Janë vetë drejtuesit e poliklinikave që kanë pohuar se stafi që ata kanë është i përgatitur dhe i specializuar, por problemi mbetet te diagnostikimi. Në këtë pikë mjekët janë të detyruar t’i nisin pacientët në spital për të kryer një ekzaminim. Me rikthimin e sistemit të referimit, drejtuesit e poliklinikave kërkojnë shtim të aparaturave për të përballuar më shumë lloje patologjish mjekësore. Sipas tyre, stafi është i mjaftueshëm për të përballuar rritjen e vizitave por qendrat shëndetësore kanë nevojë për të bërë ekzaminime të thjeshta si ekot apo edhe aparaturat e radiografisë. Nëse zgjidhet ky problem, atëherë mjekët nuk do jenë të detyruar të dërgojnë pacientët te mjekët e spitaleve.