Mjedisi, UNDP mbështetje ministrisë
Ministria e Mjedisit, nis një sërë projektesh, të cilat mbështeten nga UNDP në Tiranë. Në këtë kuadër, ministri Fatmir Mediu, pati një takim me përfaqësues të lartë të kësaj organizate. Gjatë këtij takimi, u diskutua për vazhdimësinë e implementimit të këtyre projekteve mjaft të rëndësishme si, forcimin e kapaciteteve me vendet perëndimore për të ulur problemet mjedisore, identifikimin e pikave të nxehta mjedisore në vendin tonë, menaxhimi i integruar i ekosistemit të basenit të liqenit të Prespës në Shqipëri, Greqi e ish-republikën Jugosllave të Maqedonisë, programin e ndryshimeve klimaterike për fuqizimin e paneleve diellorë për ujë të ngrohtë. Një pikë e rëndësishme e këtij takimi, ishte diskutimi për Konferencën Ndërkombëtare mes Palëve, që do të mbahet në Kopenhagen në dhjetor të këtij viti. Shqipëria është anëtare e konventës për ndryshimet klimaterike dhe protokollit të Kotios. Si e tillë, ka një sërë përgjegjësish në përmbushjen e standardeve për reduktimin e gazeve-serë në atmosferë.