E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, “mbijnë” studentët pa mesatare, 750 të regjistruar

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Plot 750 studentë që nuk plotësuan kriterin e mesatares, por gjithsesi fituan të drejtën për t’u regjistruar, do të ulen më 13 tetor në auditorët e Universitetit të Vlorës. Burime pranë sekretarisë së këtij universiteti bënë të ditur se gjatë ditës së martë, nga ora 09:00 deri në 18:00, orar zyrtar i përcaktuar nga MASH, arritën të regjistronin të gjithë maturantët e interesuar. Mësohet se nga mbi 900 maturantë që fituan në degë të ndryshme në këtë universitet, 750 prej tyre janë regjistruar. Pjesa tjetër që nuk u paraqit pranë sekretarisë mendohet të jenë regjistruar në universitete të tjera, publike apo private. Në sajë të shifrave zyrtare të dala nga Universiteti i Vlorës, të cilat u konfirmuan edhe nga zv/rektori, Eustrat Zhupa, në auditorë do të ulen për herë të parë këtë vit akademik 2 mijë studentë. Në një përllogaritje të thjeshtë i bie që gati gjysma e tyre janë nën nivelin e dëshiruar nga stafi akademik, i cili për ditë me radhë i refuzoi të regjistroheshin. Por numri real i studentëve me mesatare nën 6 nuk u konfirmua zyrtarisht më parë. Madje vetë rektori Tanush Shaska vetëm pak ditë më parë konfirmoi se numri i këtyre studentëve ishte vetëm 161, nga 900 që ishin në të vërtetë. Madje shifra nuk u konfirmua as nga ministria, e cila deklaroi rreth 400 maturantë pa mesatare, as nga universiteti i cili ditë pas dite deklaronte shifra të ndryshme. Megjithë orvatjet e maturantëve, si dhe mosmarrëveshjet ndërmjet MASH dhe Universitetit të Vlorës, kjo e fundit pranoi të kryente regjistrimin vetëm të martën. Rektori Shaska e kundërshtoi për shumë ditë vendimin e ministrisë për regjistrimin e tyre duke argumentuar se universiteti “Ismail Qemali” synonte që të rriste nivelin e studentëve dhe jo të bënte të kundërtën. Ai pohoi se nuk mund të merrte në fakultete studentë që do t’iu mësonte më parë të shkruanin. Por megjithë kundërshtitë e Shaskës, të miratuara edhe nga stafi akademik i tij, 750 studentët më në fund dolën fitues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›