Part-time, konkursi me dosje në muajin nëntor
Ministria e Arsimit do të nisë shumë shpejt në universitete udhëzimin për pranimet në studimet part-time. Këtë bëjnë me dije burime nga ky dikaster. Sakaq brenda pak javëve pritet të miratohet edhe vendimi që përcakton kuotat dhe tarifat e regjistrimit në këtë cikël studimesh. Nga sa sqarojnë specialistët, procesi i regjistrimeve do të kryhet si vitin e shkuar, me anë të dorëzimit të dosjes së dokumenteve personale. Nëse kërkesat do të jenë më të larta se kuotat e miratuara nga qeveria, do të aplikohet përzgjedhja mbi bazën e kritereve. Ndër më të rëndësishmet në këtë proces do të jetë mesatarja. Këtë vit pritet që të ushtrohet një kontroll më i rreptë që në fazën e regjistrimeve, për të mos lejuar që kandidatët që vijojnë studimet e larta në një universitet publik të ndjekin një tjetër degë part-time. Gjithçka do të verifikohet nëpërmjet dosjes së dokumenteve që do të dorëzohen për regjistrim, e cila duhet të përmbajë kopjet origjinale. Nga sa pohojnë specialistët e ministrisë, prioritet në përzgjedhjen e fitues të ciklit të parë të studimeve të pjesshme do të jenë kandidatët që nuk arritën të shpallen fitues në pranimet e sistemit të ditës. Ndërsa për kategoritë që kanë mbaruar studimet e larta në një fakultet dhe duan të vijojnë një të dytë, do të ketë kuota të veçanta. Sa i përket tarifave të regjistrimeve, drejtuesit e fakulteteve kanë pohuar se nuk do të ketë ndryshim të tyre, por gjithçka pritet të përcaktohet nga vendimi që do të marrë Ministria e Arsimit dhe qeveria. Vetëm Universiteti i Tiranës ka propozuar për part-time 1600 kuota pranimi. Ato do të shpërndahen sipas degëve.