Masat e policisë, pranga tre hajdutëve në kryeqytet
Tre hajdutë janë arrestuar nga policia e kryeqytetit gjatë 24 orëve të fundit. Një prej tyre është kapur, duke tentuar të vjedhë, një tjetër kishte realizuar vjedhje me dhunë, ndërsa i fundit ishte i dënuar nga gjykata për të njëjtën vepër penale. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se nga shërbimet e Komisariatit Nr. 2 u arrestua në flagrancë shtetasi Enea Vladimir Islamaj, 27 vjeç, banues me Tiranë. Kapja dhe më pas arrestimi u bë sepse në rrugën “Medar Shtylla” në Tiranë, është kapur në flagrancë nga Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit Nr. 2, duke tentuar të vjedhë portofolin dhe celularin e një gruaje. Menjëherë, policia ka ndërhyrë duke bërë shoqërimin e tij në komisariat dhe më pas arrestimin për veprën penale të vjedhjes. Ndërkaq, shërbimet e Komisariati të Policisë Nr. 6 Tiranë kanë kryer ndalimin e shtetasit Gjovalin Dedë Basha, 18 vjeç, banues në Tiranë. Sipas të dhënave hetimore, ndalimi i tij u bë sepse me datë 18 të këtij muaji, së bashku me një shtetas tjetër, i cili është shpallur në kërkim, kanë tentuar t’i vjedhin një shumë lekësh me dhunë një gruaje. Gjatë shoqërimeve në polici, ajo ka mundur të njohë agresorin, që u arrestua nga oficerët e rendit. Po nga shërbimet e Komisariati Nr. 6 Tiranë u ndalua shtetasi në kërkim, Bujar Petrit Persi, 38 vjeç, banues në Elbasan. Gjykata e Tiranës, me vendim të datës 26 mars 2010, e ka dënuar me tre muaj burg, për veprën penale të “vjedhjes”.
#