E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sindikata e policisë: Vendimi i Kushtetueses, i pjesshëm

Deklarata Kreu i mbrojtjes së policëve, Sadetin Fishta, komentoi nenet e shqyrtuara nga gjykata

Sindikata e Policisë ka reaguar për vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me shfuqizimin disa neneve për pensionet e suplementare. Kreu i Sindikatës së Policisë, Sadetin Fishta, gjatë një konference shtypi, të mbajtur paraditen e djeshme tha se, me vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me kërkesën e saj dhe shumë subjekteve të tjera me objekt “Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009 “Sigurimin Shoqëror Suplementar”, me të cilin përfitojnë edhe punonjësit e policisë, gjykata shfuqizoi përkatësisht pikën 2 të nenit 14 dhe nenin 27 të këtij ligji. Në lidhje me këtë vendim, Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit vëren se pavarësisht që Gjykata Kushtetuese nuk ka vlerësuar të gjitha pretendimet të arsyetuara nga avokatët e saj, ajo ka vendosur shfuqizimin e një neni shumë të rëndësishëm që dëmton përfitimet e punonjësve të Policisë së Shtetit, në një masë mjaft të konsiderueshme”. Sipas Fishtës, pikërisht pika 2 e nenit 14, vendoste kufizime në masën e përfitimit të pensionit të parakohshëm për të dy kategoritë, si ato që paguanin kontribut suplementar ashtu edhe ato që nuk paguanin. Pra, neni kishte vendosur tavan për përfitimet suplementare të punonjësve të policisë deri në dy paga të pensionit bazë të pleqërisë. Tashmë, ky kufizim tavan është hequr dhe njëkohësisht hiqet barazia në shpërblim e punonjësve të policisë për kontributet që kanë derdhur gjatë karrierës së tyre. “Kryesore për ne ka qenë që punonjësit e policisë, të dalin nga ky vendim me sa më pak humbje të të drejtave të tyre, në aspektin e përfitimeve suplementare, gjë për të cilën rrëzimi i këtij neni na favorizon në mënyrë të kënaqshme, por, për sa u përket disa neneve të tjera të veçanta, punonjësve të policisë ju cenohen disa përfitime, të cilat i kemi pasqyruar edhe në komentet tona në media”, tha Sadetin Fishta. Gjithashtu, në konferencën e mbajtur, Fishta tha se, në datat 16-17 qershor në Krajnska Gora të Sllovenisë u mbajt mbledhja e Komitetit Ekzekutiv e Unionit të Sindikatave Policore të vendeve të Bashkimit Europian, e njohur me emrin CESP. Në mbledhje ishin të pranishëm Presidenti i CESP-it, njëkohësisht kryetari i Sindikatës së Policisë së Sllovenisë, Branko Prah, sekretari i Përgjithshëm i CESP, Gerard Grenerom dhe delegacione nga 18 shtete pjesëmarrëse, anëtare të kësaj organizate. Në këtë mbledhje mori pjesë edhe një delegacion i Sindikatës së Policisë Shqiptare. Aty u votua anëtarësia e Sindikatës së Punonjësve të Policisë Shqiptare dhe kjo u realizua me vota unanime nga tërë sindikatat simotra në CESP. Sekretari i Përgjithshëm i CESP-it, Gerard Grenerom, i cili është edhe personi i kontaktit për Organizatat Ndërkombëtare Joqeveritare në Këshillin e Europës, shprehu gatishmërinë për të ndihmuar dhe bashkëpunuar ngushtë me sindikatën shqiptare për zgjidhjen e problemeve sociale-ekonomike, me të cilat përballet Policia Shqiptare. “Pozitiv është fakti që punonjësit e policisë, anëtarë të sindikatës, në mbrojtje të interesave të tyre, nuk janë më vetëm 9 500 vetë, por 300 mijë, të cilët në solidaritet të plotë do të mbështesin të drejtat legjitime të të gjithë anëtarësisë sonë”, përfundoi Fishta.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›