E Diel, 1 Nëntor 2026

Konsullata italiane zyrë të posaçme për bizneset

30/05/2009  Vizat, përfitojnë 80 biznese vlonjat. Si do aplikojnë të interesuarit

Më shumë se 80 biznese vlonjate që kanë xhiron më të madhe tregtare me Italinë nuk do të kenë nevojë për të vendosur datat e takimeve për pajisje me vizë apo procedura te tjera nëpërmjet Call centerit të konsullatës, por do të kenë një zyrë të posaçme pranë këtij institucioni.

Vendimi

Kjo gjë është bërë e ditur dje nga konsulli Italian i vendosur në qytetin e Vlorës Sergio Strozzi në një takim me kryetarin e degës së Tatimeve, Gent Hamzaraj, si dhe atë të Dhomës së Tregtisë Edmond Leka. Sipas konsullit italian, konsullata e përgjithshme e Italisë në Vlorë në bashkëpunim me Drejtorinë rajonale të Tatimeve dhe Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Vlorë me objektivin e rritjes së marrëdhënieve tregtare mes jugut të Shqipërisë dhe Italisë dhe lehtësimit të vizave për sipërmarrësit që tregtojnë më shumë me Italinë është aktivizuar një “Sportel për viza biznesi Shqipëri-Itali”. Sipas konsullit, duke nisur që nga dita e premte 5 qershor, titullarët dhe menaxherët e sipërmarrjeve të Vlorës që paraqesin një xhiro biznesi me Italinë në Import mbi 100 mijë euro dhe që rezultojnë në listën e përpiluar nga Drejtoria rajonale e Tatimeve të qytetit të Vlorës, e cila është e disponueshme në web sitin e konsullatës së përgjithshme si dhe pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Vlorë mund të paraqesin kërkesën për vizë biznesi çdo të premte drejtpërdrejtë pranë konsullatës pa prenotim paraprak nëpërmjet Call Centerit, nga ora 10.00 deri në orën 12.00. Strozzi shton se aktualisht në listë janë 84 shoqëri ku do ti shtohen dhe 6 të tjera ndërsa së shpejti “Projekti pilot” do të shtrihet dhe në sipërmarrjet e qyteteve të tjera, të cilat janë në zonën e qarkut konsullor të kësaj konsullate. Bizneset që janë në këtë listë në paraqitjen e parë duke filluar nga prezantimi i këtij projekti, duhet të depozitojnë pranë zyrës konsullore dokumentacionin e parashikuar për vizë biznesi përfshi listën e punonjësve të paraqitur pranë zyrës lokale të punës, dokumentet e përgjithshme rreth firmës si regjistrimi në gjykatë, statuti dhe akti i themelimit, të cilat do të përditësohen periodikisht dhe do t’i dërgohen kësaj konsullate dhe nuk do të kërkohen më gjatë kërkesave të mëtejshme për vizë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›