Zonat turistike , Mjekët: Deri tani asnjë shqetësim nga banorët
Në të gjitha zonat turistike në vend, ofrohet shërbim 24-orësh në qendrat shëndetësorë, veçanërisht në ato që gjendën në zona, ku numri i pushuesve gjatë sezonit të verës është i shtuar.
Zyra e shtypit pranë Ministrisë së Shëndetësisë bëri të ditur se ky institucion ka marrë tashmë masat për forcimin e shërbimit shëndetësor në zonat turistikë për sezonin e vërës.
Në këtë kuadër, janë marrë masa për furnizimin më medikamente dhe materiale mjekimi të ndihmës së shpejtë mjekësore të gjitha qendrat shëndetësore dhe urgjencat mjekësore, si dhe për sigurimin e gatishmërisë për transportin mjekësor me autoambulancë për të sëmurët që kanë nevojë për këtë shërbim.
Gjithashtu, me një urdhër të posaçëm të kësaj ministrie, janë marrë masa për fuqizimin e kontrolleve higjieno-sanitare në zonat turistike dhe veçanërisht kontrollit të përditshëm të ujit të pijshëm, dezinfektimin dhe marrjen e analizave për treguesit fiziko-kimikë e mikrobiologjikë, duke bërë matjen e klorit dy herë në ditë.
Në fokus janë edhe kontrollet e hoteleve, restoranteve dhe pikave të tregtimit të produktive ushqimore, për zbatimin e rregullave të përgjithshme të higjienës dhe veçanërisht në zbatimin e normave për ruajtjen dhe tregtimin e produkteve ushqimore. Ndërkohë, në bashkëpunim me inspektoratin e mjedisit dhe autoritetet e pushtetit vendor, do të ushtrohen kontrolle higjieno–sanitare për gjendjen e mjedisit e veçanërisht për grumbullimin, largimin e përpunimin e mbeturinave urbane si dhe ujërave të zeza.
MSH-ja sqaron së drejtoritë e spitaleve të zonave turistike janë urdhëruar të marrin masat të presin të sëmurët për trajtim spitalor, duke planifikuar dhe shtretër rezervë, në rast nevoje. Ndërsa për të gjitha shkeljet dhe mangësitë që konstatohen, Inspektorati Sanitar Shtetëror dhe Epidemiologjik dhe organet e tjera përkatëse do të zbatojnë masat e parashikuara në ligj.