E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk regjistronin bizneset prej 10 vitesh, procedohen tre punonjës të tatimeve

LIBRAZHD/ Kanë nisur hetimet për përgjegjësin dhe dy specialistë të tatimeve lidhur me mosregjistrimin e bizneseve


LIBRAZHD - Sektori Kundër Krimit Ekonomik Financiar pranë drejtorisë së Policisë në Elbasan ka ndërmarrë një operacion pas mbërritjes së një kërkese nga Komuna Rrajcë për të ndërhyrë në kontrollin e subjekteve që nuk shlyenin detyrimet tatimore.


I pafuqishëm përballë mungesës së të ardhurave kur bizneset përgjatë aksit nacional Përrenjas-Qafë-Thanë kanë ardhur duke lulëzuar, kreu i komunës Selaudin Bogdani, sipas burimeve të policisë, ka depozituar një ankesë pranë kësaj strukture për verifikimin e subjekteve që veprojnë në territorin e tij.


Agjentët e policisë janë vënë në lëvizje duke nisur një operacion verifikimi në të gjitha bizneset që për 10 vjet me radhë nuk kishin derdhur asnjë detyrim pranë komunës.


Në përfundim të këtij operacioni, Drejtoria e Policisë Elbasan ka konfirmuar se janë verifikuar 24 subjekte private të paregjistruara që prej 10 vjetësh kryenin aktivitet të paligjshëm.


Operacioni është quajtur "Uji i Pastër" dhe sipas drejtuesve të policisë, kishte qëllim goditjen e fenomenit të mosregjistrimit të subjekteve private që zhvillojnë aktivitet tregtar në rrugën nacionale Librazhd-Qafë-Thanë.


Operacioni është zhvilluar brenda 24 orëve dhe rezultuan 24 subjekte të ndryshme që zhvillojnë aktivitet të paregjistruar në organet tatimore prej shumë vitesh. Si rezultat është vendosur procedimi i përgjegjësit të zyrës së tatimeve në Komunën Rrajcë 24-vjeçarit me inicialet A.T. me banim në Librazhd nën akuzën e "moskryerjes së detyrave nga organet tatimore", si dhe "shpërdorim detyre" të parashikuara nga nenet 181/a dhe 248 të Kodit Penal.


Sipas policisë, ky shtetas me mosveprimet e tij në mënyrë të drejtpërdrejtë ka ndikuar në mosregjistrimin e këtyre subjekteve private duke i sjellë një dëm ekonomik të konsiderueshëm buxhetit të komunës dhe buxhetit të shtetit.


Gjithashtu, janë proceduar edhe dy specialistë të sektorit të verifikimit në terren në Drejtorinë e Tatimeve në Elbasan: 47-vjeçari I.L. me banim në Librazhd dhe shtetasi A.F. 26 vjeç, me banim në Elbasan.


Këta dy shtetas akuzohen për veprën penale të "moskryerjes së detyrave nga organet tatimore" parashikuar nga neni 181/a i Kodit Penal. Sipas policisë, këta persona me mosveprimet e tyre nuk kanë ushtruar kompetencat që u njeh ligji për organet tatimore.
Veprimet për këtë operacion janë kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Elbasan.


Dosja në ngarkim të tatimorëve do t'i kalojë prokurorisë për veprime të mëtejshme. Ky është rasti i parë që regjistrohet në Prefekturën Elbasan ku pushteti vendor kërkon ndihmën e policisë për zbatimin e ligjit mbi detyrimet tatimore nga subjektet private.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›