Provimet e maturës do të sjellin ndëshkime për mësuesit

SHKODËR - Mësuesit, nxënësit e të cilëve kanë pasur luhatje me nga 2 a 3 nota në provimet e lirimit apo maturës shtetërore në krahasim me notën përfundimtare, do të ndëshkohen duke lëvizur nga vendi i punës.
Sipas drejtoreshës rajonale të arsimit në Shkodër, Atrida Ferketi, nuk mund të lejohet që ai mësues nxënësit e të cilëve kanë pasur luhatje të thellë të notën në provim në krahasim me notën vjetore, të vazhdojnë të japin mësim në këto shkolla.
Sipas Ferketit, gjatë muajit tetor të gjitha rezultatet e provimeve të lirimit dhe të maturës shtetërore të shkollave të Shkodrës do t'i nënshtrohen një analize të thellë e të detajuar ku do të ballafaqohen rezultatet.
Ferketi u ka kërkuar kryetarëve të njësive të qeverisjes vendore bërjen e projekteve në infrastrukture për ato shkolla që kanë numër të madh nxënësish, pasi nuk do ketë investime në shkolla anekse me nxënës të paktë pasi në një të ardhme të shpejtë do të bëhet përqendrimi drejt shkollave të mëdha, ku nxënësve shteti u siguron transportin, infrastrukturë shkollore më të mirë dhe mësues më të kualifikuar. Shkollat anekse shkojnë drejt shkrirjes pasi në shumë zona ato janë dhe në ambjente të papërshtatshme.
Në shkollat me numër të paktë nxënësish do të ketë dhe shkrirje klasash pasi dhe udhëzimet e MASH-it janë të qarta lidhur me numrin e nxënësve në klasa ku nuk do ketë më tre klasa me 65 nxënës.
Apeli i Ferketit në fillim të vitit shkollor është që njësitë e qeverisjes vendore, krahas detyrimeve të tyre ligjore për mirëmbajtjen e sigurimin e kushteve në infrastrukturën shkollore, të angazhohen dhe për evidentimin e familjeve në nevojë dhe fëmijëve të arsimit parauniversitar me probleme gjakmarrjeje, pasi është e mundur që ato të përfshihen në projektin "Shansi i dytë" i MASH-it.
Në prag të fillimit të vitit të ri mësimor, shpërndarja e tekseve shkollore pranë shkollave po ecën normalisht dhe në Shkodër kanë ardhur rreth 90% e titujve të pëzgjedhur nga mësuesit.