E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontesha spiune, që magjepsi Lorencin e Arabisë

Dashnore dhe spiune e Lorencit të Arabisë. Jo vetëm kaq: gruaja e parë oksidentale që kërkoi të vizitonte Mekën, qytetin e shenjtë të myslimanëve. Më tej akoma: arriti deri aty sa udhëtoi e zhveshur mbi një gamile në shkretëtirën siriane të Palmirës. E gjeti veten të burgosur në haremin e një sauditi. U arrestua tri herë për vrasje, për t‘u liruar në të gjitha rastet për mungesë provash. Ka edhe të tjera për të shtuar: ishte kujdestarja e një bordelloje në Parisin e pushtuar nga nazistët, njëherësh edhe trafikante opiumi.

Pak gra mund të krenohen për jetë aq të mbushur me aventura sa ajo e basko-francezes Zhan Kleri, e vrarë në Tanger në vitin 1948. Kjo Mata Hari e re, me linja trupore të hajthme, flokë të zinj, gjithnjë tepër elegante, nisi të bëhej e famshme që në moshën e adoleshencës. E lindur në vitin 1893, në një familje të borgjezisë së lartë, Marga, siç e pagëzuan në kolegjin e qytetit basko-spanjoll, Ondarribia, tërheq vëmendjen e të gjithëve me të mbushur 15 vjetët: merr arratinë me një oficer francez, me të cilin jeton për disa muaj.

Me t‘i dhënë fund kësaj aventure, mbërrin martesa me djalin më të kërkuar të krahinës, një kushëri i largët, kontin ekscentrik Pier De Andurain. Çifti i milionerëve e braktis thuajse menjëherë jetën monotone të provincës, udhëton papushim nëpër botë dhe në fund të dy vendosin të rrisin kuaj në Argjentinë. Një katastrofë. Zhan kthehet në atdhe në moshën 17-vjeçare, ndërsa i shoqi zhytet në manitë dhe teprimet e tij. Trashëgon nga i ati një pasuri përrallore dhe kësaj here në shënjestër ka Egjiptin, ku në vitin 1925 hap sallonin e bukurisë "Meri Stjuart".

Udhëtim që fsheh diçka. I biri, Zhaku, që jeton edhe sot e kësaj dite, në moshën 92-vjeçare, hero i rezistencës franceze, shprehet në librin me titull "E Burgosura e Arabisë: Jeta e pazakontë e konteshës Marga d‘Andurain, spiune dhe aventuriere në Lindjen e Mesme", se e ëma ishte rekrutuar nga shërbimet e fshehta britanike dhe që përpara se të vinte këmbë në Kajro, kishte ndjekur kurse spiunazhi në Londër.

Kryeqyteti egjiptian, edhe pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe pjesëtimit mes anglezëve e francezëve të asaj ku shtrihej dikur Perandoria Otomane në Lindjen e Mesme, qe kthyer në fole spiunësh. Britanikët, të cilët kishin mbështetur revoltën e arabëve kundër turqve të organizuar dhe drejtuar nga agjenti i tyre i famshëm Tomas Eduard Lorenc, alias Lorenci i Arabisë, (historia e të cilit tregohet në filmin po kaq të famshëm me aktor protagonist Piter O‘Tul), ia lëshuan në vitin 1920 Sirinë francezëve. Por, mes ish-shokëve të dikurshëm të armëve në rrugë tinëzare merr jetë lufta e nëndheshme për dominimin e zonave strategjike.

Joshja erotike që emeton gjithçka te bukuroshja Marga triumfon te të gjithë njerëzit që e rrethojnë, ashtu si edhe salloni i saj i bukurisë, një mbulesë e përsosur për aktivitetin e spiunazhit. Aty bukuroshja e ka shumë të lehtë të grumbullojë informacione të rezervuara prej bashkëshorteve të shtetarëve egjiptianë, si dhe prej aristokrateve, siç qe gruaja e Mbretit Fuadi i Parë, Sulltania Nazli Sabri, apo gruaja e Shahut të Persisë, Favzia.

Shefi i zyrës lokale të shërbimeve sekrete shpejt i ngarkon detyrën e parë vërtet të rëndësishme: lidhjen e marrëdhënieve me emirin saudit të Riadit, Ibn Saudin, i cili njihej për dobësinë e fortë që kishte ndaj femrave të bukura. Pas kësaj, shefi i agjentëve të madhërisë së saj në Palestinë e fton për një udhëtim në Tokën e Shenjtë dhe në Siri, i cili përfundon në Palmirën e mrekullueshme, vend ku në vitin 1930 hap një hotel në të cilin mund të dëgjohet edhe sot e kësaj dite legjenda, sipas së cilës kjo aristokrate ishte vënë e tëra në shërbim (edhe seksual) të Lorencit të Arabisë.

Është e kotë të themi që edhe hoteli ishte një tjetër qendër spiunazhi e Londrës. Në Siri kontesha u kthye shpejt në legjendë, kjo në masë të madhe edhe për shkak të shëtitjeve nëpër shkretëtirë krejt e zhveshur. Në vitin 1933, e ndarë tashmë nga bashkëshorti, Pieri (i cili vritet më pas në vitin 1937), vendosi të konvertohet në myslimane për të pasur mundësinë të vizitojë Mekën. Këtë donte ta bënte e veshur si burrë. Por më parë martohet me analfabetin Ben Suliman. Zbulohet para udhëtimit dhe mbahet nën vëzhgim të rreptë në haremin e zëvendësguvernatorit të Jidës.

Arrijnë të sigurojë dërgimin në Francë, falë mbështetjes së një prej ish-dashnorëve, emirit Saud. Ndërkaq, Ben Sulimani, njeriu me të cilin sapo kishte vënë kurorë, vdes i helmuar. Kthehet në qytetin e lindjes, ku Mata Hari menjëherë shkakton një skandal. Rrëfen jetën dhe peripecitë e veta në gazetën "Le Courrier de Bayonne", pa kursyer as detajet më pikante.

Me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, ndërsa i biri lufton në Paris dhëmbë për dhëmbë me nazistët, ajo vetë, me shumë gjasa ende në shërbim të britanikëve, frekuenton rregullisht shtabin e Gestapos në Hendaja. Tashmë e famshme, në vitin 1948 zhvendoset në Tanger bashkë me të dashurin, Hans Habele, ish-agjent i Himlerit. Pikërisht në këtë vend gjen vdekjen, pasi i dashuri e godet disa herë me shishe, ndërsa gjendeshin të dy në një barkë luksoze. Trupi i saj nuk u gjet kurrë. I biri kujton: "Ime më më thoshte gjithnjë të ndihesha pasardhës i kapitenëve sypatrembur baskë, të cilët në të shkuarën përshkonin detet në kërkim të fatit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›