E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqia, veto Danimarkës në NATO

Turqia mund të përdorë të drejton e vetos për të mos lejuar Kryeministrin danez të bëhet shefi i ardhshëm i NATO-s, për shkak të qëndrimeve të tij të dikurshme kundër Turqisë, si dhe polemikave lidhur me një karikaturë daneze ku ironizohej mbi profetin Muhamed. Numri një aktual i NATO-s, holandezi Jap de Hop Shefer, e përfundon mandatin e sekretarit të përgjithshëm të kësaj organizate më 31 korrik të këtij viti. Pasardhësi i tij pritet të zgjidhet gjatë samitit të ardhshëm të NATO-s që do të mbahet më 3 dhe 4 prill.

Lajmi u publikua nga "Saturday Uashington", sipas së cilës diplomatë të lartë të NATO-s dhe një burim amerikan kishin ndër mend të mbështesnin kandidaturën e Anders Fogh Rasmusen në postin e sekretarit të përgjithshëm të këtij organizmi, por se priteshin kundërshtime të forta nga ana e Turqisë. Një zyrtar i lartë turk bëri me dije se pozicioni i vendit të tij do të bëhej publik në ditët e ardhshme, por vërejti se Razmusen shihet me sy shumë të keq nga Turqia. "Gjërat mund të arrijnë deri në Veto", tha për agjencinë "Reuters". "Duhet të presim zhvillimet". Pozicionet e lidershipit të NATO-s përcaktohen me miratimin e të 26 shteteve që përfshihen në këtë aleancë ushtarake.

Zyrtari i lartë turk, i cili parapëlqeu t‘i bënte deklaratat në kushtet e anonimatit për shkak të peshës së çështjes, tha se Turqia qe tepër e zemëruar që Danimarka ka lejuar një televizion të kontrolluar nga militantë kurdë të transmetojë nga territori i saj, si dhe nga komentet e vetë Razmusenit në vitin 2003 ku vërente se Turqia nuk do të bëhej kurrë anëtare e Bashkimit Evropian.

"Së treti, mënyra sesi Danimarka trajtoi polemikat e karikaturës, nuk është pritur aspak mirë në Turqi", shtoi zyrtari anonim. "Kriza e karikaturës ka përmasa shumë më të gjera se territori turk. Në një çast kur pritet që NATO të marrë edhe më shumë përgjegjësi në Afganistan dhe Pakistan, prania e një sekretari të përgjithshëm me qëndrim kaq të diskutueshëm karshi miliarda myslimanëve, nuk është zgjedhje e duhur për botën myslimane".

Polemikat mbi këtë pikë lindën në vitin 2006, pasi një gazetë daneze shfaqi në një karikaturë profetin Muhamed me një bombë në turban. Karikatura u trajtua nga shumë media evropiane duke shkaktuar polemika të ashpra. Vetë Razmuseni nuk pranoi të kërkonte falje për këtë fyerje ndaj botës islame, gjë që ndezi reagime të dhunshme dhe sulme ndaj ambasade daneze në disa shtete myslimane.

Zyrtari anonim turk tha për "Reuters" se vendi i tij do parapëlqente ministrin kanadez të Mbrojtjes, Piter MekKei, në postin e sekretarit të përgjithshëm të aleancës. Gjatë punimeve të Forumit të Brukselit, mbi çështje të mbrojtjes, MekKei nuk deklaroi se e përjashtonte mundësinë e pranimit të detyrës së kreut të NATO-s, megjithëse bëhet fjalë për një post që sipas traditës u besohet evropianëve. Megjithatë, kishte vërejtur se ishte shumë i zënë me ristrukturimin e forcave të armatosura të vendit të tij. "Kanadaja, si një prej vendeve themeluese të kësaj aleance sigurisht është e interesuar në çdo aspekt të NATO-s, përfshi edhe lidershipin", tha ministri kanadez i Mbrojtjes, i pyetur mbi këtë temë. Gjatë të njëjtit forum, kongresmenia Elen Tosher, e cila pritet të zgjidhet zëvendëssekretare e shtetit amerikan për kontrollin e armëve dhe sigurinë ndërkombëtare, e quajti MekKein "yll", por nuk pranoi të bënte të qartë nëse Uashingtoni e donte apo jo në këtë post.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›