Ndoka zbulon kandidatët për Qarkun e Dibrës
Partia Demokristiane bëri publikë dje emrat e kandidatëve për deputetë në Qarkun e Dibrës. Edmond Stojku, kryeson listën e demokristianëve dhe pasohet nga avokati Emin Saraçi, Agim Pisli dhe Abedin Paci. Në listën e PDK-së janë vendosur edhe emra si Sami Bruçi dhe Kujtim Martani. Kryetari Nard Ndoka tha se emrat e përzgjedhur nga PDK përfaqësojnë vlerat me të mira të familjes dhe të traditës dibrane dhe janë një garanci për një qeverisje efektive të Prefekturës së Dibrës dhe të Shqipërisë. Ai theksoi se PDK po harton një program të veçantë për zhvillimin e veriut, duke u shndërruar në prioritet të investimeve të qeverisë së ardhme të qendrës së djathtë. "Ne besojmë se PDK dhe partitë e tjera pjesëmarrëse në Polin e Lirisë do të arrijnë një rezultat spektakolar në këto zgjedhje dhe këtë e dëshmon më së miri edhe mbështetja juaj", u shpreh Ndoka. Ai shtoi se PDK, ka në prioritetet e politikës dhe të programit të saj elektoral interesat jetikë të qytetarëve shqiptarë, familjen, edukimin, ndërtimin e shtetit ligjor, garantimin e shërbimit shëndetësor për çdo qytetar në nevojë, krijimin e kushteve që çdo qytetar të mund të jetojë i lirë dhe në mirëqenie ne vendin e tij.