Kontigjenti i 10-të Paqeruajtës niset në në Bosnjë-Hercegovinë
Në Brigadën Logjistike në Vaqarr u zhvillua ceremonia e përcjelljes së Kontigjentit të 10-të që do të marrë pjesë në misionin Paqeruajtës të Bashkimit Europian (BE) "ALTHEA". Në këtë ceremoni ishte i pranishëm komandanti i Brigadës Logjistike, gjeneral brigade Syrja Gjoka, atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë, përfaqësues të Zyrës së CUBIC në Ministrinë e Mbrojtjes, familjarë dhe të afërm të ushtarakëve që nisen me mision etj.
Të pranishmit në ceremoni i ka përshëndetur komandanti i Brigadës Logjistike, gjeneral brigade Syrja Gjoka, i cili theksoi se ndjehemi krenar që përcjellim sot Kontigjentin e 10-të Paqeruajtës të Qendrës së Asgjesimit të Municioneve dhe Eksplozivave për në Misionin "ALTHEA" në Bosnjë Hercegovinë. Nëntë kontigjentët e mëparshëm kanë kryer me profesionalizëm dhe përkushtim të gjitha detyrat e ngarkuara, duke marr vlerësimet maksimale të komandantëve të EUFOR-it dhe personaliteteve të tjera të NATO-s e BE-së.
Duke iu drejtuar trupave të Kontigjentit të 10-të, gjeneral brigade Gjoka u shpreh: "Ne kemi besim tek profesionalizmi dhe përgatitja juaj. Angazhimi juaj në këtë mision do të jetë një kontribut i shtuar dhe me vlerë që FA Shqiptare japin në kuadër të EUFOR. Si komandant i juaj, ju porosis të promovoni gjatë misionit vlerat më të larta të ushtarakut shqiptar. Kujdesuni për jetën tuaj dhe të partnerëve, kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë ne".
Në fund të ceremonisë gjeneral brigade Syrja Gjokë i dorëzoi Flamurin Kombëtar komandantit të Kontigjentit të 10-të, kapiten Klodian Tanushi.
Brigada Logjistike nëpërmjet Qendrës së Asgjesimit të Municioneve dhe Eksplozivave kontribuon në misionin "ALTHEA" në Bosnje-Hercegovinë që nga pranvera e vitit 2008. Misioni që kryejnë Forcat tona të Armatosura në Bosnjë-Hercegovinë shënon të parin mision që kryhet me kapacitete të plota operacionale, financiare e logjistike.
Kontigjenti i specialistëve të asgjesimit të eksplozivave dhe municioneve është në mbështetja të Shtabit të EUFOR-it dhe ndërrohet çdo gjashtë muaj. Ky mision bëhet në kuadër të marrëveshjes që ka bërë Republika e Shqipërisë me Bashkimin Europian në maj të vitit 2005 për pjesëmarrje me trupa në operacionet ushtarake të BE-së në menaxhimin e krizës në Bosnje-Hercegovinë.
Kontigjenti i 10-të që do të marrë pjesë në misionin "ALTHEA" do të zëvëndësojë Kontigjentin e 9-të që po kryen misionin që nga muaji mars i këtij viti. Detyrat kryesore që do të kryejnë trupat e këtij kontigjenti janë: planifikimi dhe drejtimi i operacioneve të çminimit në mbështetje të detyrave kryesore të trupave të EUFOR-it; asgjësimi dhe neutralizimi i minave, municioneve të paplasura apo municioneve të improvizuara nga zona të rrezikshme në zona të sigurta; asistimi në sistemimin, seleksionimin, lëvizjen dhe asgjësimin e municioneve nga depot e ndryshme etj.