E Shtunë, 31 Tetor 2026

U krijua qeveria e personave në kërkim

Partia Socialiste reagoi dje për krijimin e qeverisë "Berisha", në mandatin e dytë të së djathtës. Deputeti socialist, Ditmir Bushati, deklaroi se qeveria ka dy të kërkuar nga drejtësia në përbërjen e saj duke u pagëzuar me emrin, qeveria e punëve të këqija. "Dje, Sali Berisha, pagëzoi qeverinë e vazhdimësisë së punëve të këqija, që strehon dy të kërkuar nga drejtësia dhe tre të kërkuar nga populli opozitar. Në të njëjtën kohë ai dezinformoi opinionin publik në lidhje me kërkesat legjitime të opozitës që kushtëzojnë marrëdhëniet tona me Kuvendin e Shqipërisë dhe institucionet e dala prej tij", tha Bushati. Deputeti i PS-së iu kthye sërish çështjes së bojkotit dhe kushteve të vëna nga opozita për kthimin në Parlament. "Qeveria nuk mund të vazhdojë të fshihet me kokëfortësi pas gjoja procedurave ligjore dhe parimit të ndarjes së pushtetit për moshapjen e kutive të dyshuara të 28 qershorit, pasi opozita nuk kërkon ndryshimin e pushtetit në tavolinë, por respektimin e një detyrimi kushtetues, ligjor e moral që qëndron në themel të sistemit të demokracisë dhe lirisë që është transparenca e plotë për votën e sovranit", vërejti ai. Bushati tha se qeveria nuk mund të garantojë luftë kundër krimit të organizuar për sa kohë bashkëpunoi me krimin në zgjedhjet e 28 qershorit dhe nuk pranon hetimin e së vërtetës në lidhje me përdorimin e të burgosurve në shërbim të fushatës së saj zgjedhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›