Vrasja e dyfishtë, rrëfehet vajza
MAMURRAS/ ROLAND NIKOLLI
"E vrava Arsid Ramën, pasi ai tentoi t'i merrte nderin të fejuarës time. Ai e mori Enin me dhunë, por unë nuk mund ta kapërdija këtë. Ata, duke përfshirë edhe Albert Seitin, kanë qëlluar natën e ngjarjes, por fati deshi që ne të mos merrnim plagë. Enin e kisha me vete kur u krye vrasja, pasi ajo donte të hakmerrej ndaj Ramës, i cili e rrëmbeu dhe e keqtrajtoi dy ditë". Kështu mësohet se është shprehur në polici Diamantin Preçi, i cili vrau të dielën në Mamurras, Arsid Ramën dhe Albert Seitin. Sipas tij, nëse viktimat nuk do të kishin qëlluar ndaj tyre, ndoshta kjo ngjarje mund të ishte mbyllur pa viktima. Mbrëmjen e krimit, në mjetin e tij, që u gjet i braktisur më pas në Borizanë, ndodhej edhe kushëriri i tij 17-vjeçar, B. Preçi si dhe e fejuara e tij e cila ndodhej në sediljen e pasme. Sipas burimeve, Rama kishte pasur njohje me Eni Allamanin, e cila është e fejuara e autorit të krimit. Mësohet se 20-vjeçarja ka pohuar në polici se viktima e kishte rrëmbyer me dhunë. "Arsidi më mori me dhunë në makinën e tij para një jave. Ai më largoi nga qyteti dhe më izoloi për dy ditë. Tentoi të më përdhunonte", është shprehur 20-vjeçarja, e cila sipas burimeve ka edhe shenja dhune në trup. Dhuna e ushtruar ndaj saj është vërtetuar gjatë hetimeve edhe nga eksperti mjeko-ligjor, që ka asistuar në verifikimin e shenjave të dhunës së pretenduar nga ana e saj. Pasi është lënë e lirë, vajza i ka rrëfyer të fejuarit të saj gjithçka i kishte ndodhur. Ky i fundit kishte vendosur të hakmerrej ndaj Arsid Ramës. Ditën e ngjarjes, Eni Allamani ka ikur nga banesa e saj tek i fejuari. Bashkë edhe me kushëririn e Preçit, 17-vjeçar, ata kanë dalë nga shtëpia të armatosur, për t'u hakmarrë. Ata e kanë gjetur shumë shpejt vendndodhjen e 23-vjeçarit Rama, i cili po kthehej nga Laçi në Mamurras. Preçi i ka kërkuar "rivalit" të tij të ndalonte makinën, por, ai nuk i është bindur. Sipas dëshmisë së të arrestuarve, Rama mbante automatik në dorë. Nga brenda makinës, ai kishte nisur të qëllonte në drejtim të tyre. Por Diamantin Preçi i është kundërpërgjigjur me zjarr, duke qenë se kishte marrë edhe pozicion afër murit të një avllie të një banese, në anë të rrugës. Për pasojë, Arsid Rama vdiq në vend, ndërsa Seiti rreth 30 minuta më pas në Spitalin Ushtarak. Pas krimit, të tre të rinjtë janë larguar në drejtim të Milotit. Policia e Kurbinit e mbështetur nga ajo e Lezhës, specialistë të policisë së shtetit, FNSH-së së Shkodrës, etj, bllokuan të gjithë zonën. Kur janë ndodhur në Borizanë të Krujës, ata braktisën mjetin dhe iu drejtuan malit në këmbë. Rudolf Ndoci i njoftoi të kërkuarit me telefon se policia po merrte shenjat në mjetin e gjetur të braktisur. Policia i ka vënë në përgjim ata me metoda speciale të hetimit, nga ku zbuluan se të arratisurit po planifikonin kundërpërgjigje ndaj policisë me plumba nëse do t'iu afroheshin. Kreu i policisë, Muharrem Furriku ka hyrë në kontakt me Diamantin duke i kërkuar që të dorëzohej. Identifikimi me mjete speciale të tre të armatosurve dhe vendndodhja e saktë e tyre, ka bërë që në distancë policia e Kurbinit, Lezhës, Mirditës dhe Forcat Speciale të Shkodrës të kryenin edhe rrethimin. Ndërsa Furriku ka vijuar telefonatat me autorët e krimit, duke mundur t'i bindë ata që të mos reagonin me armë. Pas më shumë se pesë orë negociatash, ata janë bindur të dorëzoheshin.