Ekonomia shqiptare ndan qëndrimet e eurodeputetëve
Eurodeputetët e Parlamentit Europian në amendamentet për rezolutën që pritet të miratohet nesër për Shqipërinë ndahen në qëndrime për sa i përket situatës ekonomike në vendin tonë. Kështu vihet re një ndarje e qartë për sa u përket eurodeputetëve të majtë dhe të djathtë të PE-së, për faktin nëse Shqipëria po ecën me ritme të larta ekonomike apo ekonomia e saj po dobësohet edhe nga rritja e borxhit të jashtëm. Kështu, Eduard Kukan, i cili është pjesë e grupimit të djathtë të Partive Popullore Europiane, kërkon që në rezolutën për Shqipërinë të përfshihet edhe fakti që vendi ynë ka pasur një rritje të madhe ekonomike gjatë kohës së krizës globale. “Përgëzojmë Shqipërinë për rritjen ekonomike që pati edhe në kohën e krizës globale dhe faktin që bëri përpjekje në adaptimin e masave antirecension”, thekson Kukan në amendamentin e tij. Por situatën ekonomike në vendin tonë nuk e sheh kështu Marietje Schaake, eurodeputete e grupimit të Aleancës së Liberal-Demokratëve. Ndonëse në amendamentin e saj ajo thekson se Shqipëria ka një rritje ekonomike, deklaron gjithashtu se ekonomia e vendit tonë është e vendosur kryesisht në baza informaliteti. Sipas eurodeputetes holandeze, tregu i parregullt i punës sjell pasiguri për punëtorët dhe minon të drejtat e tyre. Nga ana tjetër, Marietje Schaake thekson se është e shqetësuar për nivelin e lartë të borxhit publik dhe papunësinë. “Duhet theksuar se rritja e borxhit publik e fiskal në Shqipëri dhe po kështu rritja e madhe e papunësisë sjellin një shqetësim të madh nga ana jonë”, thekson ajo në amendamentin e saj. Po kështu, në ndryshimet që pritet t’i bëhen rezolutës së Chountis ka edhe shqetësime në lidhje me faktin nëse kriza ekonomike dhe financiare greke mund të ndikojë në vendin tonë. Por, nga ana tjetër, Kryeministri Berisha ka theksuar në mënyrë të qartë se në Shqipëri nuk ka asnjë problem ekonomik dhe se akuzat se borxhi në vend është rritur janë krejtësisht të pabaza. Në lidhje me këtë qëndrim të tij, kreu i qeverisë i është referuar edhe raportit të departamentit të financave të jashtme të Bashkimit Europian për vendet që kërkojnë të jenë pjesë e unionit. Duke iu referuar këtë raporti, Berisha theksoi se Shqipëria jo vetëm që nuk ka krizë, por përkundrazi me performancën e saj ekonomike po i afrohet dhjetëshes së vendeve europiane. Kryeministri ka shpjeguar se si rezultat i këtij përmirësimi të ndjeshëm të ekonomisë dhe financave në vend, më 1 korrik do të bëhet edhe rritja e rrogave dhe pensioneve, ashtu siç është bërë në të gjitha vendet e tjera. Sipas Berishës, ndonëse ekonomitë e disa vendeve europiane po reduktojnë rrogat dhe pensionet, Shqipëria po i rrit ato. Kryeministri ka theksuar gjithashtu se një ulje e të ardhurave do të bëhet për administratën shqiptare për sa i përket zërit të shërbimeve operative. Sipas Berishës, kjo ulje do të bëhet edhe në institucionet e tjera të pavarura.
#