Kontrabanda, kallëzim për 7000 paketa
22/10/2004 TIRANË -Të kërkosh një paketë cigare pa pullë fiskale, nuk do të thotë vetëm të pish një duhan të mirë apo origjinal, por edhe të kthehesh në një udhërrëfyes të mirë, për Policinë Tatimore. Tri ditë më parë, efektivat e Policisë Tatimore bllokuan një sasi prej 7000 paketa cigaresh kontrabandë. Zbulimi u realizua sapo malli kishte mbërritur në Tiranë dhe po përgatitej për shpërndarje në disa pika të shitjes. Dje në Prokurorinë e Tiranës mbërriti një kallëzim penal ndaj tre biznesmenëve në kryeqytet, të cilët akuzohen se kanë kryer veprën penale të kontrabandës, me futjen e paligjshme të sasisë së kapur të cigareve. Sipas kallëzimit penal që bëri dje Policia Tatimore, agjentët e saj kanë kërkuar të dhëna nga pikat e vogla të shitjes në Tiranë, për origjinën e paketave të cigareve pa pullë. Informacionet e dhëna nga shitësit për magazinat e mëdha te të cilat furnizoheshin me cigare të futura kontrabandë në Shqipëri, u kanë shërbyer tatimorëve për organizimin e aksionit. Brenda pak orëve janë mobilizuar efektivat e policisë dhe janë drejtuar te njëra prej magazinave të mëdha në Tiranë, ku mbahen cigaret. Me zbulimin dhe sekuestrimin e sasive të para të cigareve, tatimorët e kanë shpërndarë aksionin në kryeqytet, duke sekuestruar një sasi prej 7000 paketash të tri llojeve të ndryshme të cigareve. Sipas hetimeve të Prokurorisë, të cilat filluan dje, tri persona me aktivitet biznesi në Tiranë kanë organizuar hyrjen e paligjshme të cigareve dhe kanë tentuar shitjen e tyre. Burimet hetimore thanë se tre tregtarët janë vënë nën akuzën e kontrabandës dhe pritet që ndaj tyre të ketë edhe sanksione financiare në vlerën e mallit që kanë bërë kontrabandë.