Prokuroria: Këtë vit më shumë krime se në `98
22/10/2004 TIRANË –Viti që pasoi trazirat e '97-ës në Shqipëri, ka shënuar më pak krime se nëntë muajt e kaluar të këtij viti. Zëdhënësi i Prokurorisë së Tiranës, publikoi dje statistikën 9-mujore të Prokurorisë së Tiranës. Sipas kësaj statistike, në vitin 1998, në Prokurorinë e Tiranës janë regjistruar për hetim më pak krime se këtë vit. “Në Prokurorinë e Tiranës janë regjistruar plot 3500 kallëzime penale gjatë 9 muajve të këtij viti. Prej këtyre dosjeve janë filluar si procedime penale 2700 çështje. Por në vitin 1998, në të njëjtin organ hetimor për gjithë vitin janë regjistruar 2500, ndërkohë që numri i procedimeve penale të filluara ka qenë më i vogël”, thanë dje burimet zyrtare të Prokurorisë së Tiranës. Hetuesit dhe ekspertët thonë se shifrat e kriminalitetit të këtij viti përbëjnë shqetësim, por ata vlerësojnë se krimet, të cilat po ndodhin gjithnjë e më shumë, janë vjedhjet e ndryshme dhe falsifikimet e dokumenteve. Sipas hetuesve, viti 1998 ka patur vepra më të rënda penale, ndërsa numri më i madh i tyre ka qenë këtë vit, megjithëse krimet e këtyre 9 muajve kanë qenë të një natyre tjetër. Sipas zëdhënësit të Prokurorisë së Tiranës, ky institucion ka përfunduar hetimet për më shumë se gjysmën e çështjeve hetimore që ka filluar, duke i dërguar ato në Gjykatë. “Në këto dosje akuzohen më shumë se 1300 persona, numri më i madh i të cilëve ka kryer vjedhje të makinave, banesave apo sendeve personale ose falsifikim dokumentesh”, sqaruan burimet e institucionit të hetimeve në kryeqytet.