E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polici i Vlorës, goditet me levë në Poliçan

22/10/2004  POLIÇAN – Ka përfunduar në spital i goditur rëndë në kokë një punonjës policie i komisariatit të policisë së qytetit Vlorë së bashku me një kushëririn e tij, ndërsa priste një mjet në qendër të qytetit të Poliçanit.

Burime të komisariatit të policisë së Çorovodës, bëjnë të ditur se ditën e djeshme, rreth orës 07.45 minuta, Gëzim Pallogati, lindur në Skrapar dhe me banim në qytetin e Vlorës, ndërkohë punonjës policie po në Vlorë, 43 vjeç, baba i dy fëmijëve dhe Kajmak Zhura, 41 vjeç, banor i qytetit të Poliçanit, me profesionin arsimtar, janë goditur me mjete të forta hekuri, leva nga shtetasi Astrit Goxhaj, 28 vjeç, banor i fshatit Pronovik dhe Valter Kanani, 18 vjeç, banor i fshatit Novaj. Të dy autorët të identifikuar, por të larguar në drejtim të paditur me një automjet tip “Mitsubishi”, me targa BR 8208 A, janë shpallur në kërkim ndaj dhe policia po punon për kapjen e tyre.

Dy të dëmtuarve iu është dhënë ndihma e parë nga mjekët e spitalit të Poliçanit dhe më pas janë nisur për ndihmë më të kualifikuar për në spitalin rajonal të qytetit të Beratit. Pas mjekimit intensiv, mësohet prej mjekëve se ata janë jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor. Burime të policisë lokale bënë të ditur se u vunë në ndjekje të autorëve dhe në fshatin Tozhan kanë gjetur makinën, me të cilën udhëtonin dy autorët, ku, pas kontrollit të bërë, kanë gjetur dhe mjetet e forta, levat me të cilat kryen veprën penale. Mjeti dhe materialet e tjera u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa ende nuk mësohet asgjë për motivin e këtij sulmi.

Nga ana e tij, polici Pallogati bën të ditur për këtë ngjarje se, “është e vërtetë që më kanë qëlluar, por unë nuk kam pasur probleme jo me ata, por me asnjë prej banorëve të kësaj zone, por di diçka që ka të bëjë me një grabitje të ndodhur vite më parë në Greqi, e bërë prej njërit prej autorëve që më goditën, ku Astrit Goxhaj është protagonisti kryesor, madje endet akoma i lirë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›