Veteranët: Bashkia është përgjegjëse për skandalin
Akuza
Kryebashkiaku nuk flet. Urdhëron edhe vartësit të heshtin
Asnjë prej autoriteteve të Bashkisë së Lushnjës nuk ka pranuar dje të flasë për vjedhjen e eshtrave të dëshmorëve nga muzeu i varrezave. Kryetari i bashkisë, Albert Sanxhaku, nuk ka pranuar të prononcohet, ndërkohë që ka urdhëruar edhe vartësit e tij të mos komunikojnë me median për këtë çështje.
Në mënyrë konfidenciale, nëpunës të bashkisë thonë se janë në dijeni të miratimit të një fondi për ceremoninë e 29 nëntorit 2009, por nuk u mor vesh as ku shkoi fondi, as ç’u bë me eshtrat e dëshmorëve që ishte planifikuar të varroseshin me nderime.
Ndërkohë, Vangjel Bello i Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve thotë se përgjegjësia për këtë skandal bie pikërisht mbi stafin drejtues të Bashkisë së Lushnjës dhe ata që morën përsipër të realizonin rivarrosjen dhe morën për këtë paratë e akorduara nga këshilli bashkiak.
Bello akuzon direkt ish-drejtorin e shërbimeve në bashki, Maksim Kullën, inxhinierin Pëllumb Gjini, si edhe supervizorin e bashkisë Vladimir Saveta. "Këta janë tre personat përgjegjës. Këta morën lekët dhe nuk treguan përgjegjësi për sigurimin e eshtrave. Pikërisht tek këta dhe drejtuesit e tjerë duhet të nisë hetimi”, thotë Vangjel Bello.
Ajo që cilësohet e çuditshme prej krerëve të Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqatës së Veteranëve ka të bëjë me faktin e largimit të rojës së muzeut pikërisht disa ditë para vjedhjes. "Roja Shpëtim çela është hequr nga puna disa ditë para bastisjes së dhomës muze dhe depos së varrezave të dëshmorëve. Menjëherë pas mungesës së shërbimit të tij ndodhi edhe akti i shëmtuar", thotë Pasho Uruçi, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të LANç.
#