Vlorë, OSSH trondit qytetarët me faturat e energjisë, 57 mijë lekë të rinj për një familje

Qytetarët vlonjatë ankohen prej kohësh se në banesat e tyre po vijnë fatura nga OSSH që nuk u përgjigjen në realitet harxhimit të energjisë elektrike nga ana e tyre. Por, ndonëse problemi ka shkuar edhe në drejtorinë rajonale të kësaj njësie në Fier, prej aty ka ardhur gjithmonë një përgjigje disi justifikuese se gjithçka mund të ketë ndodhur brenda mundësive të një gabimi njerëzor. Edhe vetë drejtori i kësaj njësie, Arjan Bido, i ndodhur për një kontroll në qytetin e Vlorës pak ditë më parë ka pohuar publikisht se nuk do të përsëriten më gabime të tilla. Bëhej fjalë për fatura familjare që shkonin deri në shumën prej 10 mijë lekë të rinj. Mirëpo këto ditë një qytetar vlonjat, punonjës në një institucion arsimor të këtij qyteti, që nuk pranon të identifikohet me emrin e plotë por me inicialet A. H. na tregon faturën e tij familjare të ardhur për muajin e kaluar me një shumë që gjithkush do të habitej.
Në faturën e tij me NR kontrate a-40423 shënohej se ai kishte për të paguar pranë kësaj agjencie një shumë prej 57.342 mijë lekë të rinj, ose 570 mijë lekë të vjetra. Është e kuptueshme që në këtë rast habia është ajo që të pushton e para. Sepse një shumë kaq të madhe nuk ka asnjë familje normale që mund ta ketë harxhuar në vetëm një muaj, sikur edhe të gjitha dritat apo orenditë shtëpiake elektrike ti ketë lënë ndezur për 24 orë. Vetë shtetasi në fjalë tregon se është padyshim pagues tepër i rregullt i faturave që vijnë nga OSSH. Ai ka në pronësi një banesë dy katërshe, por siç tregon vetë në vetëm tre dhomat e katit të mëposhtëm jeton me gruan dhe tre fëmijët. Madje tregon se vetëm dy TV ka në shtëpi dhe fatkeqësisht edhe lavatriçen, si një nga konsumatorët më të mëdhenj familjarë të energjisë elektrike, këtë muaj për rreth 20 ditë e ka pasur të prishur. Të jetë verë edhe mbase do të besoja se mund të kem harxhuar kaq shumë sepse do të kisha në veprim edhe katin e dytë të shtëpisë që e lë me qira për pushues dhe se edhe mund të isha duke zier raki, por edhe atëherë nuk më ka ardhur fatura asnjëherë më shumë se 10 mijë lekë të rinj. Normalisht unë paguaj në muaj 2 deri në 2.5 mijë lekë të rinj, ndërsa këtë muaj ka ardhur një shumë kaq e madhe sa po më dhemb koka, tregon ai, duke shtuar se më keq për të është kur shkon të ankohet pranë OSSH dhe nuk i japin një përgjigje shpresëdhënëse. Sapo kontaktoj me faturisten e lagjes, atë të Ujit të Ftohtë dhe të tjerët, më parë më këshillojnë të shkoj dhe të paguaj faturën dhe më pas të shkoj të sqarohem. Kam shkuar kështu tre apo katër herë, duke lënë edhe punën gjë që nuk mund ta bëj më. Edhe në drejtorinë rajonale në Fier kur shkova njëherë nuk gjeta asnjë përgjegjës të madh, kështu që kam rënë në hall të madh. Një shumë kaq të madhe nuk kam mundësi ta paguaj se të gjithë fëmijët i kam në shkollë, ndërkohë që vetëm unë e bashkëshortja punojmë në shtet dhe aq lekë marrim. Rri përditë me frikën se vijnë dhe më presin energjinë për mospagim të saj përfundon A.H historinë e tij të hidhur me OSSH.