E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monitorimi i zgjedhjeve, ambasadat në krah të ODIHR

 

BLEDAR HOTI

Zgjedhjet parlamentare do të vëzhgohen imtësisht dhe nga diplomatët e akredituar në Tiranë. Një pjesë e mirë e përfaqësuesve të ambasadave janë atashuar në listat e OSBE-së dhe ODIHR-it në ushtrinë e monitoruesve ndërkombëtarë.  Në listën e misionit të vëzhguesve të OSBE-së dhe ODIHR-it për votimet e 28 qershorit gjithsej janë përfshirë 51 persona, që janë ofruar nga ambasadat e shteteve të BE-së dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Rëndësia e këtyre zgjedhjeve ka angazhuar dhe trupin diplomatik në Shqipëri, ku nga 307 vëzhgues gjithsej, 51 prej tyre janë nga ambasadat e SHBA-së, Greqisë, Francës, Britanisë së Madhe, Spanjës, Italisë, Çekisë, Austrisë, Suedisë dhe madje të Rusisë. Në listën e paraqitur nga ODIHR që mbante firmën e Stefan Krause, zëvendësshefi i Misionit Vëzhgues, në emrat e 307 vëzhguesve përfshihen organizatat, nga ku emrat e 51 personave që përfaqësojnë ambasadat. Debatet dhe përplasjet e nisura mes qeverisë dhe kreut të misionit të ODIHR-it, për caktimin e Aydreu Glover si shefe të misionit, duket se ka ndikuar që përfaqësues të trupit diplomatik të vendosin përfaqësuesit e tyre për të ndjekur nga afër procesin e votimit të 28 qershorit dhe të “shmangin” pakënaqësinë për raportin që do të dalë 24 orë pas votimit më 28 qershor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi emrat e këtyre vëzhguesve me shtatë vota pro, së bashku me emrat e 192 vëzhguesve. Në listën e gjatë përfshihen edhe 10 emra, të cilët përfaqësojnë zyrën e ODIHR-it në Varshavë. Në listën tjetër të vëzhguesve që janë pjesë e OSBE-së dhe të ODIHR-it të bie në sy që 40 prej tyre vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po aq të tillë janë edhe nga Gjermania, ndërsa nga Britania e Madhe janë 20 të tillë. OSBE-ODIHR akreditojë një muaj më parë 40 vëzhgues afatgjatë, ndërsa me ditën e djeshme numri total i vëzhguesve që do të monitorojnë zgjedhjet nën siglën e këtij institucioni do të jetë 347. Ambasadorja Glover ka deklaruar se synojnë që të kenë 400 vëzhgues afatshkurtër, por numri i tyre arriti në 307 gjithsej. KQZ-ja ka miratuar dje edhe listën e vëzhguesve të paraqitur nga ana e Asamblesë Parlamentare e NATO-s. Kjo organizatë ka paraqitur gjithsej 6 vëzhgues afatshkurtër. KQZ-ja mori vendim për të shtuar listën e vëzhguesve dhe për tre shoqata shqiptare, si Komiteti i Helsinkit, Rinia në sipërmarrjen e lirë dhe Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut. Anëtari i KQZ-së, Hysen Osmanaj shfaqi rezerva në lidhje me listën e Komitetit të Helsinkit, duke deklaruar se nëse kryetarja e saj, Vasilika Hysi ka dhënë dorëheqjen pasi është kandidate për deputete e PS-së. Edhe pse një gjë e tillë u konfirmua nga KQZ-ja, dy anëtarët e KQZ-së, Osmanaj dhe Shtjefni votuan kundër listës së vëzhguesve të Komitetit të Helsinkit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të shqyrtojë në ditët në vijim lista të reja për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›