E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nafta, pritet rritje çmimi në qershor

03/06/2005  Çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare është rritur dhe me 20 dollarë, duke bërë që rritja brenda dy ditëve të kapë shifrën e 50 dollarëve më shumë për fuçi. Por, ndërkaq, duket se rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare do të ketë ndikimin e vet dhe në tregun shqiptar. “Patjetër që do të ketë ndikim dhe në ditët që do pasojnë do të ketë rritje çmimi, pasi dhe vetë importuesit po e marrin me çmim më të lartë”, ka deklaruar për “Metropol”, kryetari i Shoqatës së Hidrokarbureve, Viktor Nushi. Kështu, duket se rezultati negativ i votimit në Francë, do të derivojë me luhatje të ndjeshme të kursit të këmbimit dhe më pas në rritjen e ndjeshme të çmimit të naftës. Shqipëria duke qenë një vend importues i karburanteve, do të jetë nën efektin e kësaj rritje, e cila duket se do t’i tregojë rezultatet brenda qershorit. Kështu, brenda vitit, nafta ka shënuar dy herë rritje në tregun shqiptar, duke sjellë një rritje të çmimeve të transportit. “Sezoni turistik ka të ngjarë që të rrisë dhe artificialisht çmimin e naftës, edhe pse importuesit kanë kuptuar se sa më e lartë të jetë kërkesa, aq më i ulët duhet të jetë çmimi në treg“, ka sqaruar Viktor Nushi.

Kështu, edhe pse vetë vendi është në prag të fushatës elektorale dhe pritet një ndikim i zgjedhjeve në ekonomi, këtë radhë çmimet janë rritur si pasojë e zgjedhjeve në Francë. Pasojat që po i ndjen e gjithë Evropa, Shqipëria po i percepton nëpërmjet tregut të karburanteve, prej të cilës është i varur drejtpërdrejtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›