E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontroll partive

Partitë politike do të jenë më në fund të monitoruara për shpenzimet e fushatës elektorale apo edhe donacionet që marrin. Deri në zgjedhjet e shkuara gjithçka mbetej në mirëbesimin dhe vullnetin e subjekteve politike për të treguar të vërtetën lidhur me anën financiare të fushatës elektorale. Përmes formularëve tip, partitë informonin KQZ-në si për donacionet, ashtu edhe për shpenzimet e fushatës, por nuk ishte një organizëm për të verifikuar nëse çdo gjë ishte pasqyruar apo në raport me të vërtetën. Pikërisht ky vakum ishte kritikuar shpesh nga ndërkombëtarët. Në bazë të kodit të ri zgjedhor, konkretisht neneve të miratuar dje nga komisioni i posaçëm parlamentar, do të ekzistojë një organizëm i tillë. Jo më vonë se 45 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për çdo subjekt zgjedhor, KQZ-ja duhet të emërojë me short një apo më shumë ekspertë kontabël të licencuar për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara për fushatën zgjedhore. “Subjektet zgjedhore duhet të vënë në dispozicion të ekspertit të emëruar nga KQZ-ja çdo informacion, dokumente apo të dhëna që kanë të bëjnë me  financimin dhe shpenzimet e fushatës zgjedhore. KQZ-ja mund të bëjë verifikime të të dhënave të raportit”, - përcaktohet në kod. Madje verifikimi mund të përshijë edhe pyetjen e personave dhe subjekteve të ndryshëm, këqyrjen e dokumenteve që lidhen me këtë çështje pranë zyrave përkatëse të subjektit zgjedhor që ka paraqitur raportin. Po ashtu, mund të marrë çdo informacion nga bankat apo persona të tretë, të cilët mund të tregojnë mbi të dhënat e paraqitura në raport. Mosrespektimi i rregullave të përcaktuara në këtë kapitull nga subjektet zgjedhorë apo dhuruesit, në rast se nuk përbën vepër penale, është kundërvajtje administrative dhe ndëshkohet. Kodi përcakton se shpenzimi total që mund të kryejë një parti politike, përfshirë edhe kandidatët e tyre për një fushatë zgjedhore, nuk duhet të kalojë dhjetëfishin e shumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike. Sipas akuzave të bëra nga disa subjekte politike, fushata zgjedhore ishte e pabarabartë, duke kapur shifra stratosferike. Nëse kjo ka qenë e vërtetë, vështirë se mund të ndodhë sërish, përderisa është një organizëm që do të verifikojë gjithçka. Ndërkaq, dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 50 mijë lekë duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor. Numri i llogarisë bankare, sipas asaj çka përcakton kodi, për çdo subjekt politik publikohet në faqen zyrtare të KQZ-së. Ndërkaq, po dje u miratuan edhe nenet që lidhen me rregullat e fushatës elektorale dhe paraqitjen në media. Ndryshe nga çfarë ka ndodhur në zgjedhjet e shkuara, ku shikoje nëpër faqe pallatesh apo godinash të ndryshme, qoftë edhe biznese private, banderola, tashmë ato do të kenë një vend të caktuar. Do të jenë pikërisht organet e qeverisjes vendore, që do të caktojnë në mënyrë të drejtë dhe të paanshme vendet publike për afishimin e materialeve propagandistike, të cilat duhet të miratohen më pas me udhëzim të veçantë nga KQZ-ja. Afishimi i materialeve propagandistike jashtë vendeve publike të autorizuara sjell heqjen e tyre nga organet e zbatimit të ligjit. 

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›