Të shuhen yjet e Enverit
GJIROKASTËR - Qyteti i Gjirokastrës “është pushtuar” nga disa vizatime me bojë të kuqe, në të cilat dallohet qartë ylli pesëcepësh i komunizmit. Në një deklaratë për shtyp të shpërndarë mesditën e djeshme, prefekti i qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksera, ka kërkuar fshirjen sa më parë të parullave të vizatuara në qytet në prag të 16 tetorit, 100-vjetorit të lindjes së ish-udhëheqësit komunist të vendit, Enver Hoxhës. “Segmente të interesuara u rikthehen metodave të terrorizmit psikologjik, duke e mbushur qytetin me parulla që evokojnë figurën e diktatorit, i cili si askush tjetër në histori e zhyti vendin në persekutim që njihet botërisht”, pohohet në deklaratën për shtyp të prefektit Ksera. Deklarata vijon se, “duke marrë në konsideratë ankimet e shumë qytetarëve që shprehin indinjatë për këtë dhunë psikologjike dhe duke dashur të mbrojmë nxënësit dhe gjithë rininë nga kjo dhunë, u bëjmë thirrje autoriteteve lokale për të përdorur të gjitha mundësitë ligjore për largimin e parullave, por në veçanti nga institucionet fetare, shtetërore dhe qendrat kulturore, që të bëhet pastrimi i tyre brenda një afati sa më të shkurtër. Institucioni i prefektit të qarkut të Gjirokastrës i bën thirrje Drejtorisë së Policisë së Shtetit që të bashkëpunojë me Policinë Bashkiake dhe Bashkinë Gjirokastër për evitimin e këtij fenomeni. Jam i bindur që forcat politike nuk do të kompromentojnë qëndrimin e tyre lidhur me çështjen”, përfundon deklarata për shtyp e prefektit të Gjirokastrës, Spiro Ksera. Gjatë ditëve të fundit, në prag të 100-vjetorit të lindjes së ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxha, persona anonimë kanë vizatuar në fasadat e ndërtesave të ndryshme në qytetin e Gjirokastrës me bojë të kuqe parulla dhe yje pesëcepësh.