E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polici ruante kultivuesit e hashashit

Shpëtim Guri bashkëpunonte me dy të arrestuarit e tjerë për kultivimin e 7 mijë rrënjëve bimësh narkotike

SHKODËR - Një efektiv policie u arrestua ditën e djeshme nga kolegët e tij, pasi “u kishte mbrojtur krahët” dy personave që kultivonin bimë narkotike, gjatë kohës që sektori ku ai punonte përpiqej për arrestimin e tyre. Sikurse bëhet e ditur nga burime zyrtare policore, një operacion i mirëorganizuar i bluve të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Shkodrës, i koduar “Bliri”, gjatë mbrëmjes së të mërkurës bëri të mundur arrestimin e Shpëtim Gurit, 34 vjeç, me detyrë specialist i Antidrogës pranë kësaj drejtorie policie, i cili akuzohet për veprën penale “shpërdorim detyre”, si dhe Fatmir Kurtajn, 26 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Ura e Shtrenjtë, e Ndriçim Fikajn, 34 vjeç, po lindur e banues në fshatin Ura e Shtrenjtë. Ndërkohë që oficeri i Antidrogës akuzohet për “shpërdorim detyre”, ndërsa dy të tjerët akuzohen për veprën penale të “kultivimit të lëndëve të narkotike”. Sipas informacioneve zyrtare të policisë, mësohet se këta tre persona ishin mbajtur nën vëzhgim për një periudhë tremujore, duke bërë të mundur sigurimin e provave të mjaftueshme që kanë sjellë dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të tyre, përmes përgjimit të bisedave. Mësohet nga bisedat telefonike, se oficeri i policisë u kishte garantuar mbrojtje dy të arrestuarve të tjerë për kultivimin e 7 mijë rrënjëve bimësh narkotike. Megjithëse detyra e tij ishte të informonte dhe të luftonte kultivuesit e drogës, Guri ka bërë të kundërtën, duke bashkëpunuar me ta. Gjatë kontrolleve të ushtruara në fshatin Ura e Shtrenjtë të komunës Postrribë, policia e Shkodrës arriti të zbulojë dhe të asgjësojë sasinë prej 7 mijë rrënjësh bimë narkotike, në fund të gushtit dhe në fillimi të shtatorit. Fillimisht, pronësia e këtyre bimëve ishte e panjohur, kjo edhe për faktin që kultivuesit mbroheshin nga inspektori i Antidrogës. Falë punës së këtij sektori, u bë e mundur zbulimi i autorëve të vërtetë të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe të personit i cili i mbulonte në drejtorinë e policisë. Kaq i është dashur SHKB-së, që të dorëzojë dokumentet e hetimit pranë Prokurorisë së Shkodrës, në mënyrë që kjo e fundit të nxirrte urdhër-arrestet për tre personat e ndalur ditën e djeshme.

  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›