E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko: Fazliç, një horr!

Opozita akuzoi mazhorancën se ka urdhëruar Policinë e Shtetit dhe strukturat e sigurisë të mbrojnë biznesmenin serbo-boshnjak, të djathtët nuk e pranojnë

Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi një seancë me tensione, e nxitur nga ardhja e beftë e biznesmenit serbo-boshnjak, Damir Fazliç. Opozita akuzoi për marrjen në mbrojtje të biznesmenit serbo-boshnjak nga Policia e Shtetit dhe strukturat e sigurisë, gjatë vizitës së tij të mërkurën në Tiranë. Sipas të majtëve, Fazliç dyshohet për lidhje kriminale dhe veprimtari trafiku. Sipas Pandeli Majkos, dy herë ish-kryeministër, ardhja e zotit Fazliç riktheu në Shqipëri hijen e ish-Jugosllavisë. “Një horr ka ardhur nga aeroporti, ka dhënë një intervistë dhe është larguar. Dikush këtu tha që ky njeri me emrin Fazliç qenka njeri i respektuar dhe ka marrë pjesë edhe në konferencën ndërkombëtare. Po mirë, dakord. Po publikut, si t’i themi?! Çfarë t’i themi për këto prangat që tregohen në këto fotografi? T’i themi që është dosja e punës?! Po për këtë policin këtu me maskë, çfarë t’i themi?! Që është kryeministri i Serbisë?! Po për këtë policin tjetër çfarë t’i themi, që është në takim me kryeministrin boshnjak?! Ja ky është! Dhe ky njeri na solli hijen e Dushan Mugoshës në politikën shqiptare! Po ju them, zoti kryetar, që e kërkova fjalën për t’ju pyetur se sa kohë do të vazhdojmë t’i kemi mbi shpinë këta horra”? Në të kundërt, policia dhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, hodhi poshtë akuzat e opozitës për shoqërimin e serbo-boshnjakut Fazliç. Ministri Nishani sqaroi deputetët se, cilido qoftë personi, kur ai kërkon ndihmë, policia e mbron, por për zotin Fazliç nuk ka pasur shoqërim të porositur. Akuzat e opozitës u kundërshtuan edhe nga zëvendëskryeministri Genc Pollo. “Ky skandal, i krijuar njësoj si skandali për vdekjen e Kosta Trebickës, do të fashitet. Në dijeninë time nuk ka një fakt ku të ketë një shkelje ligjore të qartë nga biznesmeni Fazliç, përveç akuzave të jashtëzakonshme që shfaqen në debatin publik si meteorët dhe që po ashtu do të zhduken”, - deklaroi kreu i PDR-së. Zëvendëskryeministri Pollo shtoi se kjo çështje rrezikon të heqë vëmendjen nga ngjarje që, sipas tij, janë të vërteta e të rëndësishme për vendin tonë, siç ishte vizita e kryeministrit Sali Berisha në Gjermani dhe deklaratat e kancelares Merkel. Por sipas nënkryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, shoqërimi i Fazliçit ishte i papranueshëm. “Këto institucione që u mbytën në luftën e kompetencave në rastin “Trebicka”, kjo qeveri e Sali Berishës që nuk i vuri një polic roje Kosta Trebickës për t’i mbrojtur jetën, dje i vuri një komisariat të tërë policie në shërbim një krimineli”, - ironizoi ai. Edhe për deputetin tjetër të PS-së, Taulant Balla, ardhja e Fazliçit tregoi se shteti është vënë nën kontrollin e një klani të rrezikshëm mafioz. “A ju vret ndërgjegjja dhe shqetësimi moral, që një gjysmë etnik serb, të cilin bashkëkombësit e tij e vendosin përkrah mafies më të rrezikshme të Ballkanit, Klanit vrastar të Zemunit, kryeministri ynë i ofron miqësi shumë të ngushtë?” - deklaroi Balla. Tensioni arriti kulmin në debatin mes kryeparlamentares Jozefina Topalli dhe deputetit të PS-së, Marko Bello. Ky i fundit, ish-ministër i Shtetit dhe ambasador i vendit tonë në Rumani, u cilësua si rrugaç nga kryetarja e Kuvendit. Në krahun tjetër, vetë Bello u kundër përgjigj, duke thënë se ajo nuk mund ta nxirrte jashtë sallës së Kuvendit. saqellari@korrieri.com

 Pandeli Majko

“Po për këtë policin këtu me maskë, çfarë t’i themi?! Që është kryeministri i Serbisë?! Po për këtë policin tjetër çfarë t’i themi, që është në takim me kryeministrin boshnjak?! Ja ky është! Dhe ky njeri na solli hijen e Dushan Mugoshës në politikën shqiptare! Po ju them, zoti kryetar, që e kërkova fjalën për t’ju pyetur se sa kohë do të vazhdojmë t’i kemi mbi shpinë këta horra?”

 Taulant Balla

“A ju shqetëson juve sadopak si shqiptarë, që kryeministri ynë na paska një mik të ngushtë, i cili arrestohet në prani të kryekriminelit të masakrës së Srebrenicës, Nasër Otiç? Por, ç’është ky mik kaq i ngushtë i kryeministrit tonë?”

 Erion Braçe

“Sot shqiptarët, të gjithë ata që duan të denoncojnë korrupsionin, duhet ta dinë se Berisha dëshmitarët i vret, ndërsa kriminelët i mbron! Sot shqiptarët duhet të dinë se Berisha sigurinë e tyre e ka këmbyer me sigurinë e kriminelëve”.

 Genc Pollo

“Ky skandal, i krijuar njësoj si skandali për vdekjen e Kosta Trebickës, do të fashitet. Në dijeninë time nuk ka një fakt ku të ketë një shkelje ligjore të qartë nga biznesmeni Fazliç, përveç akuzave të jashtëzakonshme që shfaqen në debatin publik si meteorët dhe që po ashtu do të zhduken”.

 Bujar Nishani

“Asnjë forcë policore nuk është vënë në dispozicion të shtetasit Damir Fazliç, gjatë vizitë së tij të djeshme në Shqipëri. Nuk ka pasur asnjë informacion apo indicio që jeta e tij po rrezikohet dhe më pas policia ta merrte në mbrojtje apo shoqërim. Spekulimet bëhen janë për shkak të punës rutinë të punonjësve të policisë së terminalit të aeroportit “Nënë Tereza”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›