Ndalimi i Fazliç u dekonspirua

Kishte parashikuar të qëndronte dy ditë në Shqipëri. Boshnjaku u largua, sapo organi i akuzës dorëzoi fletëthirrjen ndaj tij në polici
TIRANË - Një ditë pas largimit të biznesmenit serbo-boshnjak nga Shqipëria zbulohen detaje të reja, që hedhin dritë mbi një tjetër skandal, ku dyshohet se janë përfshirë strukturat shtetërore. Burime të rezervuara i thanë dje “Korrierit”, se Damir Fazliç është lajmëruar për fletëthirrjen që prokuroria kishte nxjerrë për të, duke i dhënë mundësi të largohet më shpejt nga sa ishte parashikuar. Mësohet se Fazliç mbërriti në Tiranë dy ditë më parë, ku kishte planifikuar të qëndronte për të paktën dy ditë. Por gjithçka ndryshoi papritur, duke bërë që biznesmeni i akuzuar nga mediat vendase për pastrim parash dhe mashtrime financiare të largohet nga vendi në mënyrë të menjëhershme. Duke iu referuar këtij fakti, burime të gazetës thanë se Damir Fazliç ndryshoi planin, pasi u vu në dijeni se Prokuroria e Tiranës kishte nxjerrë një fletëthirrje për të. Kaq mjaftoi, që biznesmeni i përfolur për lidhje dhe afera të dyshimta jo vetëm në Shqipëri, të largohet me çarterin e tij që e priste në aeroportin e Rinasit, duke e lënë organin e akuzës “me letër në dorë”. Largimi i menjëhershëm nga Shqipëri i mikut të kryeministrit, ka lënë pas një shije shumë të hidhur kryesisht në prokurori, e cila po përpiqet të gjejë personat apo strukturat që dekonspiruan thirrjen e Fazliçit. Një burim nga Prokuroria e Përgjithshme tha dje, se menjëherë pas lajmit se serbo-boshnjaku mbërriti në Shqipëri, organi i akuzës verifikoi të gjitha mundësitë për marrjen e tij në pyetje rreth procedimit penal të regjistruar në Prokurorinë e Tiranës. Pas konsultave, nën drejtimin e kryeprokurores, u vendos që Fazliçit t’i jepej në dorë një fletëthirrje për t’u paraqitur në Prokurorinë e Tiranës. Por pikërisht në këtë moment, çuditërisht biznesmeni niset drejt aeroportit të Rinasit, duke mos i dhënë asnjë mundësi organit të akuzës t’i dorëzonte fletëthirrjen. Sipas burimeve të mirinformuara, shpjegimi i vetëm për këtë ndryshim të papritur të programit është njoftimi i Fazliçit për përgatitjen e prokurorisë. Zyrtarisht, organi i akuzës ende nuk ka arritur të identifikojë personin që dekonspiroi punën e saj. Nga rrethi i të dyshuarve nuk janë përjashtuar as prokurorët dhe as strukturat e policisë, që në largësi apo nga afër shoqëruan biznesmenin serbo-boshnjak gjatë vizitës së tij në Tiranë. Burimet tregojnë se nga mënyra e organizimit të punës në prokurori, pas lajmit që Damir Fazliç mbërriti në Tiranë, ka shumë pak gjasa që informacioni të ketë rrjedhur nga zyrtarë të akuzës, edhe pse një gjë e tillë mbetet ende për t’u verifikuar. Sipas burimeve, prokuroria arriti të nxjerrë fletëthirrjen, e cila arriti deri në zyrat e policisë, por pa mundur të përfundojë në duart e Fazliçit, i cili në atë moment sapo kishte mbërritur në aeroportin e Rinasit, i shoqëruar nga një automjet i televizionit, ku dha edhe intervistën. Një fakt i tillë tregon se personat që penguan drejtësinë në punën e saj janë të mirinformuar rreth çdo lëvizjeje që bën organi i akuzës, duke treguar qartë se në Prokurorinë e Përgjithshme shumë pak gjëra mund të mbahen sekret, ashtu siç e kërkon natyra e punës së këtij institucioni. Kjo rrjedhë e paparashikuar informacioni duket se i ka hapur jo pak punë organit të akuzës, i cili tashmë duhet të punojë paralelisht në dy drejtime: zbulimin e “spiunit” apo “spiunëve” të Fazliçit dhe hetimin e çështjes penale, ku dyshohet se është përfshirë miku i kryeministrit të Shqipërisë. Vizita e Fazliçit në Tiranë u pa nga organi i akuzës si një rast i mirë për ta pyetur atë drejtpërdrejt, por pa arritur qëllimin. E vetmja mundësi që i mbetet tashmë prokurorisë për të marrë dëshminë e serbo-boshnjakut, është dërgimi i një letër-porosie drejt Londrës, aty ku jeton që prej viteve ‘90 Damir Fazliç, i njohur në gjithë Ballkanin për suksesin në ndërmjetësimin e kontratave me vlerë financiare të majme.