E Shtunë, 31 Tetor 2026

OK kufizimit

Shumica e anëtarëve të Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit u shprehën dje “pro” ndryshimit të Kushtetutës për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Nisma u përfshi më pas në kalendarin trejavor të Kuvendit, ndërsa një ditë më parë ishte tërhequr nga PD qëndrimi kokëfortë për të mos bashkërenduar kët çështje me opozitën. Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, socialdemokratët shprehën rezerva për ndryshimin e Kushtetutës, por ata ishin dakord për kufizimin e imunitetit. Edhe LSI-ja ishte dakord, vetëm se kërkonte të njihej me një draft paraprak. “Pra, unë besoj se sot kemi një lajm të mirë për të gjithë shqiptarët, sepse nisma apo sugjerimi i këshillit tani mund të marrë udhë dhe ka garanci që në parlament të arrihet një konsensus, mundësisht gjithëpërfshirës”, - u shpreh Patozi. Ai shprehu besimin se përfaqësuesit e të gjithë grupeve politike do ta trajtojnë me seriozitet procesin. Në krahun tjetër, për Patozin mocioni me debat me kryeministrin, i kërkuar nga opozita, nuk është vendosur në kalendar, pasi nuk dihet axhenda që shefi i qeverisë ka jashtë shtetit.

Me konsensus

Ylli Bufi, nënkryetar i Kuvendit nga Partia Socialiste, e cilësoi si të domosdoshëm konsensusin mes aktorëve politikë lidhur me kufizimin e imunitetit. “Këshilli i Legjislacionit diskutoi dje rreth problemit që është tashmë në axhendën parlamentare dhe konstatoi se rruga më e drejtë për të kufizuar imunitetin parlamentar do të ishte ajo kushtetuese, d.m.th riformulimi i neneve përkatës që kanë të bëjnë me çështjen e imunitetit parlamentar. PS-ja kërkon që ky problem të zgjidhet me një konsensus sa më të gjerë dhe me shprehjen e vullnetit të të gjithë grupeve parlamentare”, - u shpreh Bufi. Nënkryetari socialist i Kuvendit, njëkohësisht anëtar i Këshillit të Legjislacionit, u caktua së bashku me demokratin Ilir Rusmali që të hartojnë draftin e mendimeve kushtetuese. Drafti do t’iu paraqitet më pas të gjithë grupeve parlamentare, e më vonë pritet që të kalojë për votim në seancë plenare, ku synohet mbështetja e të gjithë aktorëve.

Të vegjlit nuk e duan

Kufizimi i imunitetit po krijon sërish një ndarje midis partive të mëdha e disa prej “të voglave”. Spiro Peçi, Skënder Gjinushi e Ilir Meta shprehen skeptikë për ndryshimin më të ri që pritet t’i bëhet Kushtetutës. Ata më shumë u përqendruan te ndryshimi i Kushtetutës, se sa te nisma. Juristi Spiro Peçi, deputet i pavarur fitues në 3 korrik 2005 në zonën 98 Delvinë-Himarë, i tha dje “Korrierit”, se kufizimi i imunitetit nuk ka vërtet rëndësinë që po i jepet në luftën kundër korrupsionit. “A duhet ndryshuar Kushtetuta kaq shpesh?! Kufizimi i imunitetit nuk ka të njëjtin impakt, siç po krijohet ideja në luftën ndaj korrupsionit. Problemi kryesor në luftën kundër korrupsionit nuk është imuniteti i deputetëve. Nuk janë deputetët ata që merren me korrupsion, tenderë apo shpërdorim fondesh”, - deklaroi Peçi. Por kundër kufizimit të imunitetit shprehet edhe kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi. Ky i fundit e cilësoi ndryshimin e ri të Kushtetutës si një lojë të kryeministrit Sali Berisha. “Ka tre vjet që hiqet sikur e pengojnë imunitetet për të luftuar korrupsionin, kur ai ka gjithë votat e mjaftueshme për të hequr imunitetet. Tashmë, tërë opinioni publik është i bindur që nuk është imuniteti ai që e pengon. Nuk është imuniteti juridik, por janë imunitetet politike”, - u shpreh numri një i socialdemokratëve. Për këtë çështje, Gjinushi është në një mendje edhe me Ilir Metën, kryetarin e LSI-së. Sipas këtij të fundit, po përgatiten edhe ndryshime të tjera kushtetuese, të cilat, siç tha ai, nuk bëhen dhe nuk synojnë as të ndihmojnë në luftën kundër krimit dhe kundër korrupsionit, por që t’iu mësojnë shqiptarëve faktin se Kushtetuta në këtë vend nuk ka vlerë dhe se të gjithë pushtetet i ka një dorë e vetme. “Pavarësisht se LSI-ja është shprehur dhe ka qenë gjithmonë e gatshme për të vendosur imunitetin në dispozicion të drejtësisë, përsëri ne shprehim rezervat tona për synimet reale të kësaj iniciative, sepse jemi të bindur që janë njëqind arsye, faktorë dhe argumente që na i forcojnë bindjet tona që iniciativa të tilla nuk synojnë luftën kundër korrupsionit në Shqipëri”, - tha Meta. Sipas kreut të LSI-së, në rast se vërtet kryeministri Berisha do të kishte minimumin e sinqeritetit për të ndihmuar drejtësinë, do të kishte dhënë vetë i pari dorëheqjen për tragjedinë e Gërdecit, apo për skandale të tjera që po vijojnë. Të mërkurën, Këshilli i Legjislacionit caktoi Ilir Rusmalin dhe Ylli Bufin për të hartuar draftin e amendimeve kushtetuese për kufizimin e imunitetit. Kërkohet që vullneti i shprehur nga shumica e partive për të këtë çështje të përkthehet konkretisht në ndryshimin e Kushtetutës. Për këtë arsye, demokratët u tërhoqën nga pozicionet e mëparshme, kur insistonin tek miratimi i projektligjit të tyre, e jo në ndryshimin e Kushtetutës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›