Prangat ish-truprojës së Azem Hajdarit

Gjykata e Shkodrës dha masën e sigurisë arrest me burg për 37-vjeçarin Marian Gryka, që akuzohet për kallëzim të rremë dhe armëmbajtje pa leje
SHKODËR - Marian Gryka, ish-truproja e deputetit të vrarë në vitin 1998, Azem Hajdari, u arrestua ditën e djeshme nga blutë e Shkodrës, pasi akuzohet për “kallëzim të rremë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Sipas policisë, 37-vjeçari ka inskenuar plagosjen e tij në këmbë që ndodhi më 27 shtator në aksin rrugor Shkodër-Zogaj. Burime nga policia e Shkodrës bënë të ditur se vendimi për arrestimin e Grykës është dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër, në bazë të ekspertimit kimik, balistik, mjeko-ligjor, si dhe nga vetë deklaratat kontradiktore të 37-vjeçarit. Të gjitha këto kanë bërë që policia të arrijë në konkluzionin se Marian Gryka nuk është plagosur nga persona të tjerë, siç pretendon ai, por është vetëplagosur. Në vazhdim të hetimeve, policia e Shkodrës do të ngrejë nga Grykës edhe një padi për “shpifje ndaj policisë”. Në të njëjtën kohë, burimet nga efektivët e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër bënë me dije se prova më e fortë që ka ngjallur dyshime për ngjarjen që në momentet e para të hetimit, ka qenë mospërputhja e gjurmëve të hyrjes së plumbit në derën e automjetit tip “Benz”, si dhe në vendin ku është plagosur Gryka. Njëkohësisht, gjatë hetimeve të mëtejshme të uniformave blu është provuar se gëzhojat që janë gjetur në vendin e ngjarjes korrespondojnë me armën e gjetur në kroskotin e makinës, një pistoletë të cilën Gryka nuk e kishte me leje dhe që u gjet pak metra larg vendit të ngjarjes. Menjëherë pas arrestimit që ndodhi mesditën e djeshme, Marian Gryka, për arsye sigurie, është dërguar në dhomat e paraburgimit në burgun e Shën-Kollit në Lezhë.
Gryka insistonte se atentati ishte politikPas një telefonate në sallën operative të policisë së Shkodrës, Marian Gryka u gjet i plagosur mbrëmjen e 27 shtatorit, rreth orës 22:00, në rrugën që të çon për në Zogaj. Nga i dëmtuari, i cili është edhe kreu i shoqatës “Azem Hajdari”, gjithçka është cilësuar si një ngjarje me motiv të pastër hakmarrës politik, pasi sipas tij, persona në pushtet nuk duan që të rihapet dosja e Azem Hajdarit. Megjithatë, sipas policisë, provat materiale dhe shkencore vërtetojnë se gjithçka është sajuar nga i dëmtuari, i cili tashmë duhet të përballet me dy akuza, atë të “armëmbajtjes pa leje” dhe “kallëzim të rremë”. Gryka këmbënguli edhe në media, se atentati ndaj tij kishte lidhje me letrën që ai i kishte dërguar Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, në lidhje me hapjen e hetimeve për vrasjen e deputetit Azem Hajdari, më 12 shtator të vitit 1998.