E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vdes mes luleve në varrin e të dashurit

26/04/2005  Një çift pleqsh gjen 22-vjeçaren me kokën në mermer, më tej një letër me poezi

TIRANË- Vuajtjet në shtratin e spitalit mes serumeve dhe vetëvrasja tragjike me çifte e të dashurit, tri ditë më parë, e kanë shtyrë vajzën 22 vjeçe të pijë katër kokrra fostoksinë pranë varrit të tij. Në orën 15.00 të ditës së djeshme, Anxhelina Çepja, me origjinë nga Kukësi, u gjet me kokën në një tufë me lule të kuqe, pranë mermerit të varrit të 24-vjeçarit dibran Altin Koçi, që për dy vjet kishte qenë i dashuri i saj. Diku më tutje një letër, mbushur me vargje të thjeshta, ku spikaste ndjenja e thellë e dashurisë, që për më tepër përngjasonte me një romancë platonike, kushtëzuar së tepërmi nga sëmundja e diabetit që e kishte detyruar Altinin të shtrihej prej 4 muajsh në shtrat. Dhimbja dje ishte përhapur kudo pranë "Fabrikës së Tullave" në Kamëz, ku prindërit e vajzës vajtonin humbjen e jetës së saj. Askush nga të afërmit nuk e pranoi lidhjen e Anxhelinës me Altinin dhe aq më tepër faktin që ajo kishte lënë një letër, ndërsa nuk mund të mohohej fakti që një çift pleqsh e gjeti gjysmë të vdekur me kokën mes luleve. Shtëpitë mes vajzës dhe djalit janë 70 metra larg, ndërsa sipas fqinjëve, historia e dashurisë së tyre ishte e sinqertë dhe po të mos ishte sëmundja e diabetit, ata do të përfundonin në lidhje martesore. Sakaq, 22-vjeçarja që u gjet thuajse pa jetë pranë varrit të Altinit, u dërgua me një mjet të rastit, të thirrur nga çifti i pleqve, në sallën e Infektivit në Spitalin Ushtarak, ku mjekët u munduan me të gjitha mjetet e mundshme ta risillnin në jetë. Nga burime spitalore mësohet se, Anxhelina u përpëlit disa herë në shtrat dhe në grahmat e fundit të jetës shqiptoi ngadalë gjysmën e emrit Altin, respektivisht frazën "Alt".

Lidhja

Kohët e fundit nuk shiheshin shpesh. E papunë, mes një rrethi farefisnor, diku pranë "Fabrikës së Tullave", vajza, sipas policisë kishte insistuar disa herë të takonte Altinin. Ky i fundit, gjithnjë sipas uniformave blu, nuk pranonte ta takonte, pasi mjekët i kishin dhënë pak shpresa për jetën. Nga fqinjët mësohet se Anxhelina dhe Altini ishin lidhur rreth dy vjet më parë dhe 24-vjeçari ua kishte shprehur shokëve ndjenjën e thellë dhe planet serioze që kishte për të. Fqinjët thanë se ata ishin njohur në Tiranë, pasi vinin nga dy rrethe të ndryshme. Gjithçka është mbajtur në heshtje. Familja mund të ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve.

Mohimi

"Vajza jonë nuk ka pasur të dashur. Ajo ka pirë helmin për punët e saj. Ne asnjëherë nuk kemi ditur gjë për ndonjë lidhje të mundshme të saj me Altinin. Ne e njihnim atë djalë dhe na erdhi keq që vrau veten, por ai nuk ka lidhje me vajzën". Ky ishte shpjegimi i vetëm dje nga banesa e 22-vjeçares së vetëhelmuar. Me pak fjalë, gjithkush e mohoi, nuk pranoi asgjë, ndonëse nuk u tha asgjë rreth vendit ku ajo u gjet në gjendje të rëndë shëndetësore. Mohimi vjen paksa i zbutur edhe nga familja e Altinit, të cilët nuk kanë pranuar që 24-vjeçari të ketë pasur lidhje me atë vajzë. "Ne do të ishim tepër të lumtur nëse ai kishte pasur një njeri që të përkujdesej", thanë dje për gazetën "Metropol" të afërmit e tij.

Vetëvrasja e Altinit

Në orët e vona të së premtes, në shtëpinë e tij, Altin Koçi qëllon veten në kokë me një saçme çifteje. Arsyeja e aktit të vetëvrasjes ishte sëmundja e diabetit, prej të cilës ai vuante praj muajsh. Grupi i ekspertëve e përcaktoi ngjarjen si vetëvrasje dhe ai u përcoll në banesën e fundit në orët e mesditës të së shtunës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›