Kontrolli higjenosanitar: Pishinat në Tiranë i zbatojnë rregullat

Pishinat, të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në rrethin e Tiranës, janë brenda rregullave higjeno-sanitare dhe mjaft të mira për t’u frekuentuar nga qytetarët, për sa u përket parametrave të ujit për larje. Por, specialistja e higjenës në Drejtorinë e Shëndetit Publik, Violeta Kërxhalli, bën apel të gjithë qytetarëve që dhe ata vetë të respektojnë rregullat e higjenës dhe para futjes në pishinë të kalojnë në nyjen sanitare, pasi, në të kundërt, përbën një faktor kryesor për ndotjen e ujit. Ndotja e ujit është faktor rreziku për infeksionet në lëkurë, por dhe ndikon në organizëm. Znj. Kërxhalli tha se "paraprakisht, para fillimit të sezonit veror, Drejtoria e Higjenës ka ushtruar kontroll të të gjithë pishinave në Tiranë dhe komunat përreth". Pishinat kontrollohen nga specialistët e higjenës për kushtet higjeno-sanitare, duke filluar nga nyjet higjeno-sanitare në pishina, si dhe sistemin e pishinës, që nga funksionimi dhe ndërtimi i saj. “Funksionimi i pishinave është në parametra bashkëkohorë të sistemit me vetërrjedhje dhe të vetëpastrimit, me dizinfektim, etj", tha znj. Kërxhalli. Ndërkohë, sipas saj, pronarët e pishinave kanë trajnuar dhe njerëzit për mirëmbajtjen e pishinave në nivele të pastra të ujit, duke siguruar gjithashtu dhe disa parametra të urgjencës së punës, sikurse pehashi, apo dhe analiza të tjera si niveli i klorit në ujë, nëse do të ketë ndotje të tij. "Vetë pronarët e pishinave tregojnë interes për të mbajtur në parametra normalë që të jenë në funksionin e duhur", theksoi ajo. Drejtoria e Shëndetit Publik kontrollon në mënyrë të herëpashershme rreth 23 pishina në Tiranë dhe komunat përreth.
...