E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrolli i Çekut gozhdohen krerët e Kamzës dhe Shëngjinit

17/12/2008  KLSH konstaton shkelje me lejet e ndërtimit, favorizime në dëm të buxhetit

Kontrolli i Lartë i Shtetit gozhdon kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziun dhe kreun e komunës së Shëngjinit Ilir Krosi. Shkak janë bërë kapja e tyre për abuzim me dhënien e lejeve të ndërtimit si dhe abuzime me detyrën. Po kështu edhe në Bashkinë e Peshkopisë janë vënë re shkelje të rënda. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka çuar për kallëzim penal plot 7 zyrtarë. Kontrollet janë shtrirë përgjatë viteve 2005 e deri në 2008.

Akuzat

Në zbatim të programit të kontrollit të vitit 2008, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ushtruar një sërë kontrollesh në Bashkinë Kamëz, Peshkopi dhe komunën Shëngjin. Në përfundim të tyre, sipas zëdhënësit të KLSH-së, Edvin Morava, janë rekomanduar dhe masat përkatëse për parregullsitë dhe shkeljet e dispozitave ligjore të konstatuara. “Në Bashkinë Kamëz, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi me vendim të Këshillit Bashkiak, janë miratuar subvencione për një subjekt privat në shumën 57 974 000 lekë gjithsej për vitet 2006 dhe 2007, duke cenuar rëndë buxhetin e bashkisë”, - thekson Morava. Shkeljet vijojnë me shpërblimet e punonjësve, apo edhe në procedurat e tenderit për ndërtimin e ujësjellësit në Bathore. Dëmi në këtë rast është 14 037 923 lekë. Po kështu edhe në fushën e urbanistikës në Bashkinë Kamzë ka pasur shkelje të shumta.

Shkeljet

Në Bashkinë Peshkopi janë konstatuar shkelje në ushtrimin e detyrës nga ana e kryetarit të Bashkisë, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Rregullimit të Territoreve, me dhënien e lejeve të shesheve të ndërtimit. “Shkelje janë konstatuar dhe në ushtrimin e detyrës së tij në cilësinë e kryetarit të Autoritetit Kontraktor dhe Kryetarit të KKRT për objektin “Sistemin, asfaltim, i rrugës-sheshi Bajram Curri –Llixha Peshkopi", faza e tretë, si dhe në cilësinë e Kryetarit të Bordit për shkelje në drejtimin, funksionimin dhe administrimin e Qendrës së Edukimit dhe Komunikimit Peshkopi, për periudhën 2003-2008", - tha Morava.

Kamzë

Miratimi i lejeve të ndërtimit ka qenë një prej shkeljeve kryesore në Bashkinë Kamzë. Në 5 raste sipas raportit kryetari i bashkisë ka lejuar dhënien e lejeve në tokë bujqësore pa raport teknik. Në 2 raste ka lejuar dhënien e lejeve dhe shesheve të ndërtimit pa dokumentin e studimit gjeologjik- inxhinierik të sheshit të ndërtimit. Ndërsa në 11 raste ka lejuar miratimin e lejeve pa u miratuar studimi urbanistik pjesor.

Shëngjini

Sipas raportit të KLSH-së, në 6 raste është bërë shitje e trojeve publike me sipërfaqe 2600 m2 ku janë dhënë edhe leje për lokal shërbimi hotel dhe banesë. Në 10 raste është zbardhur leja e ndërtimit pa u bërë pagesa e plotë. Në 6 raste të tjera është zbardhur leja pa u miratuar fare dhe në 19 raste mungojnë lejet e shfrytëzimit në dosjet e investitorëve në zyrën e urbanistikës dhe në 3 raste mungojnë dosjet e investitorëve.

Peshkopia

Kryetari i Bashkisë së Peshkopisë ka lejuar sheshe dhe leje ndërtimore për 63 raste me një sipërfaqe 6 473 m2, po dokumentacion pronësor dhe pa vendim të Këshillit Bashkiak për tjetërsimin e pronës. Dëmi në këtë rast është 32 365 000 lekë. Po kështu, për 80 leje ndërtimi nuk janë hartuar aktkolaudimet për rrjedhojë nuk janë dhënë lejet e shfrytëzimit, ndërsa për 20 objekte janë miratuar lejet e shfrytëzimit pa u depozituar më parë aktkolaudimi.

Rekomandimet

“Dëmi ekonomik rreth 160 milionë lekë të shlyhet 100%”

Për kontrollet e bëra dëmi në buxhetin e shtetit rezulton të jetë rreth 160 milionë lekë. Në Bashkinë e Kamzës ky dëm është më shumë se 70 milionë lekë. Në favorizime rezultojnë plot 57 974 00 lekë dëm, plus 6 686 830 lekë për shpërblime të padrejta, si dhe 14 037 923 lekë për shkeljet e rregullave të prokurimit publik. “KLSH propozon për përmirësimin e gjendjes në këtë subjekt shpërblimin e dëmit të shkaktuar në masën 100 për qind dhe ka rekomanduar 15 detyra të ndryshme për zbatim”, - tha Morava. Ndërkaq, në Bashkinë e Peshkopisë dëmi ekonomik për tjetërsim prone është 32 365 00 lekë, për investimin në sheshin “Bajram Curri- Llixha Peshkopi” dëmi është 16 989 584 lekë, si dhe rreth 17 milionë lekë për qendrën e edukimit dhe komunikimeve. Sipas Moravës, në rastin e Bashkisë së Peshkopisë “për përmirësimin e gjendjes, KLSH ka propozuar shpërblimin e dëmit të shkaktuar në masën 100 për qind, si dhe 13 masa disiplinore dhe administrative”. Ndërkaq, për shkeljet që janë konstatuar në komunën Shëngjin, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar shpërblimin e dëmit ekonomik në masën 100 për qind. Dëmi në total rezulton të jetë rreth 25 milionë lekë. Po kështu KLSH-ja ka rekomanduar edhe 5 masa disiplinore. “Për ish-kryetarin e komunës Shëngjin dhe ish-përgjegjësin e urbanistikës është përgatitur kallëzim penal”, - përfundoi zëdhënësi i KLSH-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›