E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrolli i hipertensionit parandalon komplikimet serioze

Autori i Lajmit: red.
Një person mund të ketë presion të lartë të gjakut me vite, pa e ditur se e ka. Por, nëse hipertensioni nuk merret parasysh dhe nuk i nënshtrohet diagnostifikimit dhe trajtimit, ai mund të ketë pasoja serioze, madje edhe vdekjeprurëse. Hipertensioni i pakontrolluar mund të shkaktojë goditje, zgjerim të zemrës dhe dëmtime të veshkave, dëmtime në retinë, në humbjen e shikimit. Hipertensioni është jo vetëm një faktor rrezikues, por edhe udhëheqës i sëmundjeve kronike te të rriturit. Kontrolli i hipertensionit ndihmon në parandalimin e shumë komplikimeve serioze. Ndryshimet jetësore mund të ndihmojnë në parandalimin e hipertensionit në shumë njerëz, që nuk vuajnë nga sëmundjet.
Presioni i gjakut dhe matja e tij
Kur zemra rreh, ajo pompon gjak në pjesët e tjera të trupit përmes arterieve. Arteriet emërtohen kështu, sepse në lashtësi mendohej se këto enë përmbanin ajër. Muskujt e zemrës kontraktohen për të shtyrë gjakun përmes arterieve. Arteriet janë të ndjeshme, të afta për t u zgjeruar apo kontraktuar në përgjigje të forcës që ushtrohet drej murit të brendshëm. Presioni i gjakut është një domosdoshmëri jetësore, pa të gjaku nuk mund të qarkullojë kudo në trup dhe organet e trupit nuk furnizohen me oksigjen dhe me lëndët ushqimore thelbësore për të vazhduar funksionin e tyre. Zhurma e parë që dëgjohet në presionin sistolik krijohet si rezultat i kontraktimeve apo rrahjeve të zemrës. Presioni sistolik normal është rreth 110-140mmHg, ndërsa presioni diastolik, presioni ndërmjet rrahjeve të zemrës, është normalisht rreth 70-90mmHg. Presioni i ulët i gjakut (hipotensioni) mund të jetë një gjendje kronike ose mund të zhvillohet papritur. Hipotensioni kronik nuk haset shpesh. Ai rezulton nga marrja e medikamenteve për kurimin e presionit të lartë të gjakut apo nga diabeti, arterioskleroza, shtatzënia, humbjet e mëdha të peshës. Humbja e gjakut, si rezultat i hemoragjive apo infeksioneve, etheve apo çrregullimeve të tjera, mund të shkaktojë papritur një rënie të presionit të gjakut në nivele të ulëta.
Presioni i lartë i gjakut
Presioni i gjakut rregullohet nga arteriolat, të cilat janë degëzime të vogla të arterieve. Në qoftë se arteriolat ngushtohen, zemra lufton që të pompojë gjak dhe si presioni sistolik dhe ai diastolik rriten. Presioni i gjakut mund të ndryshojë, jo vetëm nga dita në ditë, brenda ditës, por edhe në të njëjtën orë. Presioni i gjakut mund të ndikohet nga disa faktorë, si: stresi i të qenurit në zyrën e doktorit, zemërimi, ushtrimet gjimnastikore apo sëmundje të tjera dhe përdorimi i ilaçeve të ndryshme. Për të përcaktuar diagnozën e hipertensionit duhet të bëhen matje të shumta të presionit të gjakut për një periudhë prej disa javësh.
Hipertensioni, në cilat parametra fillon
Hipertensioni është një sëmundje, që prek të gjitha llojet e moshave mbi 10 vjeç. Eshtë një sëmundje më e shprehur dhe e quajmë sëmundjen e shekullit. Kurse, përsa u përket shkaqeve, ato janë të ndryshme. Ne sot njohim dy lloje të tensionit të lartë, që është ai primar, që është i shfaqur tek personat dhe jo i ndikuar nga ndonjë faktor tjetër. Kurse lloji tjetër i hipertensionit është ai sekondar, që shfaqet mbi bazën e një sëmundjeje tjetër, si përshembull problemet e veshkave. Faktorë të tjerë që ndikojnë në shfaqjen e sëmundjes janë trashëgimia, mënyra e të ushqyerit, diabeti etj. Po kështu edhe stresi është një nga faktorët kyç në shfaqjen e kësaj sëmundjeje. Pra, një person quhet i sëmurë, kur kalon parametrat normalë, që janë 140 me 90 (14 me 9), pra nëse i kalon këto shifra do të quhen probleme të një tensioni.

Faktorë të tjerë të mënyrës së jetesës
Hipertensioni mendohet se shkaktohet edhe nga stresi apo tensioni emocional. Individët që vuajnë nga hipertensioni duhet të jenë më të qetë, duke eliminuar situatat stresuese. Nga ana tjetër, kontrolli i stresit është një rrugë pozitive në gjendjen e përgjithshme të organizmit. Duhani nuk është i lidhur drejtpërdrejt me zhvillimin e hipertensionit, por është një faktor rrezikues në sëmundjet e zemrës. Hipertensioni gjendet kryesisht te gratë që përdorin kontraceptivë oralë për një kohë të gjatë, në krahasim me gratë që nuk i përdorin ato. Rreziku shfaqet me rritjen e moshës, me marrjen e kontraceptivëve oralë dhe ndoshta edhe me peshën. Gratë që janë mbi 35 vjeç, që marrin kontraceptivë oralë dhe që përdorin duhanin, janë më të rrezikuarat që të preken nga kjo sëmundje. Hipertensioni mund të zhvillohet te gratë gjatë tre muajve të fundit të shtatzënisë. Në qoftë se ai nuk trajtohet, atëherë kjo gjendje mund të jetë e rrezikshme si për nënën, ashtu edhe për fëmijën. Një grua që vuan nga tensioni dhe ngelet shtatzënë, duhet të ketë një kujdes të veçantë. Shtatzënia mund të përkeqësojë hipertensionin, por me trajtime të veçanta gruaja mund të jetë në gjendje të mirë, të ketë një shtatzëni normale dhe një fëmijë normal.
Kontrolli i hipertensionit
Hipertensioni thelbësor nuk mund të kurohet, por ai mund të kontrollohet. Efektet e hipertensionit mund të parandalohen ose të reduktohen, nëse gjendja trajtohet që në hershmërinë e sëmundjes. Për diagnostifikimin e hipertensionit, mjeku duhet të përmbushë ekzaminimet fizike dhe t i kërkojë pacientit t i nënshtrohet testeve laboratorike dhe procedurave diagnostifikuese si: analizat e urinës, elektrokardiografinës, si dhe në matjen e glukozës dhe të lipideve (yndyrnave) në gjak. Rezultatet e këtyre testeve ndihmojnë në përcaktimin e shkaqeve të hipertensionit, përhapjen në ndonjë organ të dëmtuar dhe vlerësimin e përgjithshëm të sëmundjeve kardiovaskulare. Ekzistojnë dy rrugë për uljen e nivelit të presionit të gjakut: ndryshimi i mënyrës së jetesës dhe ndryshimi i mënyrës së jetesës duke e kombinuar me përdorimin e ilaçeve.

Ilaçet që përdoren për kurimin e hipertensionit
Nëse ndryshimi i mënyrës së jetesës nuk çon në uljen e presionit të lartë të gjakut, mjeku duhet të përshkruajë ilaçet që duhet të përdoren për të kontrolluar hipertensionin, të cilat kanë një funksion shtesë ndaj ndryshimeve të mënyrës së jetesës, jo se i zëvendëson këto ndryshime. Pacientët reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj ilaçeve të përdorura, madje në disa prej tyre shfaqen dhe efekte anësore, të cilat mund të eleminohen duke ulur dozën ose duke i zëvendësuar me ilaçe të tjera. Ilaçet më të përdorshme janë: diuretikët dhe beta-bllokuesit. Diuretikët janë tipi i parë i ilaçeve që përdoren për trajtimin e hipertensionit, duke eleminuar lëngjet e tepërta dhe kripërat që grumbullohen në inde përreth arterieve dhe çojnë në uljen e presionit të gjakut. Efektet anësore të diuretikëve janë: dëmtimi i yndyrnave në gjak, dobësia dhe humbja e kaliumit. Nëse diuretikët nuk janë efektivë, atëherë përdoren beta-bllokuesit në kombinim me diuretikët. Ata veprojnë duke ulur shpejtësinë dhe forcën e kontraktimit të muskujve të zemrës. Si efekte negative të tyre mund të përmendim: lodhje, pagjumësi, etj. Disa beta-bllokues rrisin nivelin e triglicerideve dhe ulin nivelin e lipoproteinave (kolesteroli i mirë); ndërsa të tjerët ulin trigliceridet dhe rrisin HDL. Ilaçe të tjera që përdoren janë: frenuesit adrenergjikë, antagonistët e kalciumit, vazodilatatorët, etj. Marrja e ilaçeve duhet të konsiderohet si pjesë e rutinës së përditshme. Gjithashtu është e rëndësishme që ilaçen të merren gjithmonë, edhe kur pacienti ndihet mirë, pasi në rast të kundërt do të ketë efekte anësore.

Hipertensioni dëmton sytë
Fatkeqësisht, presioni i lartë i gjakut shpesh nuk ka simptoma, kështu që personi mund ta ketë tensionin prej vitesh dhe të mos jetë i lajmëruar për të. Presioni i lartë i gjakut mund të shkaktojë dhembje koke dhe hemoragji në enët e gjakut të syrit. Gjithashtu, ai mund të shkaktojë zgjerim të zemrës dhe arteriet bëhen më pak elastike. Ngushtimet e arterieve çojnë në mpiksje të formacioneve të gjakut, të cilat shkaktojnë atak të zemrës dhe gjendje shoku.
Ky lajm është publikuar: 02/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›