E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mënyrat e ushqyerjes për të ulur tensionin e gjakut

Autori i Lajmit: red.
Ushqimet e shëndetshme dhe ushtrimet e rregullta gjimnastikore ulin tensionin e gjakut dhe kolesterolin dhe ndihmojnë punën e zemrës, gjë që i bën njerëzit të jetojnë më gjatë. Një studim për shembull tregon se qoftë edhe të ecurit rreth 30 minuta çdo ditë i shton njeriut disa vite jetë.
Margaret Smith ka mësuar në praktikë se si ulet tensioni i gjakut. Duke ngrënë ushqime me shumë proteinë si fasule dhe mish pule apo yndyrna të pasaturuara si vaji i ullirit, vaji i kanolës dhe bajamet, ajo e ka ulur tensionin e gjakut nga 150 me 90 në 132 me 83. Kohët e fundit zonja Smith mori pjesë në një studim të Universitetit Johns Hopkins në Baltimore të shtetit Maryland. "Tani besoj vërtet në efektet që ka ushqimi i shëndetshëm. Kjo më dha mundësinë të shikoja rezultatet e një diete pozitive." 160 njerëz me tension të lartë gjaku morën pjesë në këtë studim për të sqaruar efektet që ka dieta tek tensioni i lartë dhe kolesteroli, simptoma që mund të çojnë në sëmundje zemre ose deri në kriza kardiake. Ulja e sasisë së yndyrnave të saturuara në dietë është rekomanduar gjithnjë për të parandaluar sëmundjet e enëve të gjakut. Por studimet e mëparshme nuk i jepnin përgjigje pyetjes, se me çfarë mund të zëvendësoheshin këto yndyrna. Mjeku Laërence Appel shpjegon: "Studimi përfshin tri dieta: Njëra e pasur me karbohidrate, një tjetër me proteina – gjysma e tyre bimore dhe e treta e pasur me yndyrna të pasaturuara." Rezultatet e studimit u botuan kohët e fundit në Revistën e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë. Mjekët arritën në përfundimin, se zëvendësimi i pjesshëm i karbohidrateve me proteina ose me yndyrna të pasaturuara mund ta ulë tensionin e gjakut dhe të zbutë rrezikun e sëmundjeve të zemrës. "Nga studimi del se nivelet më të ulta të tensionit të gjakut dhe kolesterolit ishin te njerëzit që morën dietën me proteinë dhe atë me yndyrna të pasaturuara." Në një studim tjetër, shkencëtarët llogaritën vitet që njeriu i shton jetës së tij, me anë të ushtrimeve të rregullta gjimnastikore. Më shumë se 5 mije banorë të shtetit verilindor Masachusetts morën pjesë në studim gjatë 46 vjetëve. Ky quhet studimi i Fremingamit për Zemrën, sipas qytetit ku u krye ai. Njerëzit që merren me aktivitet fizik të mesëm ose të lartë, del se jetojnë 1.5 deri në 3.5 vjet më shumë se sa ata, që bëjnë më pak ushtrike fizike. Nga studimi del, se edhe 30 minuta ecje e shpejtë çdo ditë të zgjat jetën. Sa më shumë kohë të shpenzosh sot me ushtrime fizike, aq më shumë kohë do të kesh më vonë në jetë.

Faktorët rrezikues për hipertensionin primar

Grupi i parë
Trashëgimia: Një individ që ka prindërit e tij apo ndonjë kushëri të afërt me hipertension, është më i rrezikuar që të vuajë nga kjo sëmundje, në krahasim me një individ tjetër normal. Në këtë kategori përfshihen edhe ata individë që në rini kanë kaluar gjendje shoku apo atak në zemër.
Mosha: Presioni i gjakut rritet me rritjen e moshës dhe presioni i lartë i gjakut zakonisht ndodh në moshën mbi 30 vjeç.
Seksi: Presioni i lartë i gjakut është më i zakonshëm te gratë e reja sesa te burrat e rinj, ndërsa me rritjen e moshës situata ndryshon.
Grupi i dytë
Obeziteti (dhjamosja): Obeziteti është i lidhur ngushtë me hipertensionin, sepse obeziteti vështirëson punën e zemrës për të furnizuar indet me gjak. Kontrolli i peshës është një faktor i rëndësishëm në parandalamin dhe trajtimin e presionit të lartë të gjakut. Humbja e peshës ndihmon në uljen e presionit të gjakut dhe përmirëson efektivitetin e ilaçeve që përdoren për kurimin e presionit të gjakut.
Jeta sedimentare: Njerëzit që bëjnë një jetë sedimentare kanë 50% më shumë mundësi që t u zhvillohet hipertensioni sesa ata që bëjnë një jetë aktive. Aktiviteti fizik i rregullt mund të ulë presionin sistolik me rreth 10mmHg në pacientët me hipertension.
Konsumi i alkoolit: Përdorimi i gjerë i alkoolit mund të ngrerë presionin e gjakut dhe të shkaktojë rezistencë ndaj ilaçeve që përdoren për të normalizuar vlerat e presionit të lartë të gjakut. Reduktimi i përdorimit të alkoolit ul presionin e gjakut te njerëzit me presion normal të gjakut, te njerëzit me presion të lartë të gjakut, si dhe te alkoolistët.
Natriumi: Ekziston një lidhje e fortë ndërmjet konsumit të natriumit dhe presionit të gjakut. Vlerat e mëdha të natriumit në organizëm bëjnë që trupi të mbajë sasi të tepërta të lëngjeve, të cilat vështirësojnë punën e zemrës dhe ngushtojnë enët e gjakut, duke çuar në rritjen e presionit të gjakut. Natriumi ul efektivitetin e ilaçeve që përdoren për trajtimin e presionit të lartë të gjakut. Ai gjendet kryesisht në kripën e tavolinës në formën e klorurit të natriumit.
Kaliumi: Shkencëtarët kanë gjetur se kaliumi ka efekte pozitive në presionin e lartë të gjakut. Ai ofron një mbrojtje kundër presionit të lartë të gjakut dhe kundërshton efektet e natriumit. Kaliumi gjendet në sasi të mjaftueshme te frutat dhe perimet e freskëta. Ushqimet me përmbajtje të lartë të kaliumit dhe përqindje të ulët të natriumit janë: bananet, patatet, fasulet, pjepri etj. Gjithashtu, edhe përdorimi i kalciumit ndihmon në uljen e presionit të gjakut. Burimet më të mira të kalciumit janë burimet ditore, por sasi të vogla kalciumi gjenden në perimet me gjethe jeshile dhe në disa lloje peshqish.

Vaji i ullirit parandalon infarktin në zemër
Një stil mesdhetar i dietës së lartë të vajit të ullirit dhe ushqime të tjera vajore është dieta klasike për më se 8 milionë amerikanë që kanë vuajtur nga ataku në zemër dhe kërkojnë të evitojnë përsëritjen e tij. Njerëzit në çfarëdo diete kanë rrezik më të lartë për të pasur një atak të dytë në zemër, një goditje, apo probleme te tjera me zemrën krahasuar me persona të tjerë që hanë në mënyrë të zakonshme. Mjekët janë shprehur se zgjidhja më e mirë për të parandaluar një tjetër problem me zemrën është konsumimi sa më i tepërt i ushqimeve që shoqërohen me vaj ulliri. “Duhet të ndjekim shembullin e mesdhetarëve që konsumojnë 40% kalori në ditë, kjo do ta ulte numrin e të sëmurëve me zemër”, është ka përfunduar studiuesi Eric Melean.

Presioni i lartë i gjakut duhet ndalur që në fëmijëri
Një studim i ri tregon se ata fëmijë e të rinj që kanë presion të lartë gjaku, ose hipertension, siç thuhet shpesh, me kalimin e viteve mund të ndeshen me probleme të rënda shëndetësore. Shtimi i rasteve të presionit të lartë të gjakut mes fëmijëve nxjerr edhe një herë në pah nevojën për parandalimin e mbipeshës trupore duke shtuar veprimtarinë fizike dhe duke ndryshuar dietën. Studime të njëpasnjëshme tregojnë se rastet e mbipeshës mes fëmijëve po shtohen. Kjo për arsye se ata hanë shumë e lëvizin pak. Studimi i fundit tregon se duke shtuar në peshë, këta fëmijë rrisin edhe presionin e gjakut në organizmin e tyre. Profesori Paul Munter pranë universitetit Tulane thotë se rastet e presionit lartë të gjakut janë shtuar dukshëm mes fëmijëve dhe të rinjëve gjatë 15 vjetëve të fundit në Shtetet e Bashkuara. Doktor Munter dhe kolegët e tij analizuan presionin e gjakut mes 2 mijë fëmijëve të moshës 8 deri 17 vjeç. Këta fëmijë u përzgjodhën për të përfaqësuar të gjitha segmentet e moshës së tyre në mbarë vendin. Pastaj rezultatet u krahasuan me ato të një studimi të ngjashëm 15 vjet më parë mes 3 mijë fëmijëve. Doktor Munter thotë se nga krahasimi i rezultateve doli se veçanërisht presioni sistolik, ose numri më i lartë i presionit të gjakut u rrit 1.4 gjatë kësaj periudhe 15- vjeçare. Ndërsa numri i ulët i presionit të gjakut ose diastolik u rrit 3.3. Studimi tregoi lidhje të forta midis mbipeshës dhe presionit të lartë të gjakut. Por shqetësimi tani është, se çfarë do të ndodhë me këta fëmijë me kalimin e viteve. Shqetësimi i parë, thotë doktor Munter, është se ç do të ndodhë me ta gjatë 20 vjetëve të ardhshëm. A do të shohim një shtim epidemik të presionit të lartë të gjakut apo një vazhdim epidemik të presionit të lartë të gjakut, sëmundjeve të zemrës dhe bllokim të artereve. Ekspertët u befasuan edhe nga një rezultat tjetër i studimit. Ata vunë re se presioni i gjakut ishte më i lartë mes fëmijëve afrikano- amerikanë dhe meksikano- amerikanë. Doktor Munter thotë se nivelet e presionit të gjakut mes këtyre fëmijëve janë 2 deri 3 pikë më të larta sesa tek fëmijët e bardhë. Doktor Munter thotë se sfida tani është për ta ndryshuar prirjen e deritanishme duke i bindur fëmijët që të bëjnë më shpesh veprime fizike, të pakësojnë përdorimin e ushqimeve të përpunuara dhe të kripës në dietën e tyre dhe të kontrollojnë presionin e gjakut sa herë që shkojnë për vizitë tek mjeku. Shkencëtarët thonë se rezultatet e studimit në përgjithësi priteshin të tilla, por ajo që i befasoi ata, është përmasa e rritjes së shkallës së presionit të gjakut.
Ky lajm është publikuar: 02/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›