E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrolli i territorit, sa vonë

Kontrolli mbi territorin është pushtet. Mjerisht, s'kemi parë deri më sot që politika e të dy krahëve të ndajë vullnetarisht pushtetin, kështu që diskutimet për një kontroll të mençur të territorit, deri më tani janë përkthyer në luftë për kontrollin e kompetencave mbi të.

Ndërsa një ligj i ri për urbanistikën po diskutohet midis institucioneve të ndryshme dhe fare pak prej përmbajtjes depërton në median e ditës, në Gjirokastër u rrëzua një pallat i vjetër, për shkak se i riu u ndërtua me leje fare afër tij. Një dështim tragjik i institucioneve të kontrollit të territorit, që ofroi rastin për politikën e ditës, të përleshej rreth mëkateve përkatëse në këtë kontroll. Numri i ri i revistës “Gjeopolitika”, botim i Qendrës së Studimeve Rajonale, pjesë e Institutit Kërkimor Barleti, merr shkas pikërisht nga miratimi i një ligji të ri për urbanistikën, dhe nga problematika paraprirëse e këtij ligji në periudhën e tranzicionit. Ai synon të vendosë gjithë aktivitetin e individit shqiptar në këtë sferë, në shndërrimet e territorit, shpeshherë shkatërrimtare, në kontekstin e duhur, kryesisht në kontekstin social, duke e parë të lidhur me të gjithë ndryshimet që ka provokuar në shumë nivele të jetës në vend.

Po ç'është urbanistika dhe ç'lidhje ka me gjeopolitikën? Të gjithë përkufizimet e shohin urbanistikën si shkencën që trajton përdorimin dhe transformimin e territorit, qoftë nga privatët, qoftë nga subjekte publike që bëjnë politikë. Brenda urbanistikës, apo si vazhdim logjik i saj, ndërtimi është njeri nga dy objektet kryesore të kësaj shkence. Siç shihet, termi territor dhe termi politikë, megjithëse ky i dyti, fshehur mbrapa fjalës “subjekte publike që bëjnë politikë”, janë fjalët kyçe që i përbashkojnë dy disiplinat shkencore, atë të gjeopolitikës dhe të urbanistikës. Në një farë mënyre, zgjerimi i konceptit të urbanistikës - nënkupto i politikave publike për territorin edhe me atë të ruajtjes së mjedisit, e afron urbanistikën më shumë me gjeopolitikën.

Kalojmë kështu nga territori, element thelbësor i urbanistikës, tek hapësira, tek gjeografia, element thelbësor i gjeopolitikës. Hapësira ama është diçka më shumë sesa territori: është dhe klima, topografia, toka e punueshme, daljet në det, etj.

Dhe mbi të gjitha, gjeopolitika është përdorur ndonjëherë si “sinonim i dobët i marrëdhënieve ndërkombëtare”. Kurse urbanistika, përgjithësisht, është aplikim i politikave të caktuara shtetërore dhe lokale në territorin e një vendi të caktuar. Pra, ajo u referohet "marrëdhënieve kombëtare" me territorin. Sipas një përkufizimi më të hollësishëm, urbanistika është lënda që merret me disiplinimin e përdorimit të territorit, që përmbledh të gjithë aspektet njohëse, ligjore dhe administruese që lidhen me veprimtaritë e ruajtjes dhe të shndërrimit të tokës, si dhe mbrojtjen e mjedisit.

Veprimtari të tilla kryhen nga operatorët privatë dhe publikë, por disiplinimi kryhet nga dy nivele pushteti, nga ai qendror dhe nga ai lokal. Siç mund të kuptohet edhe pa qenë studiues i fushës, gjitha palët politike në këto 18 vjet tranzicion kanë dështuar në imponimin e një kontrolli të arsyeshëm të territorit që të siguronte një zhvillim të qëndrueshëm të bashkësisë, ruajtje dhe zhvillim të potencialeve të territorit në funksion të kësaj bashkësie.

U referohem aktorëve politikë të tranzicionit, sa kohë që komunizmi arriti të krijonte një model të caktuar zhvillimi, potencialet e të cilit u rrënuan me shpejtësi në këto 18 vjet, por pa krijuar të tjerë ama. Ndërsa të dy palët politike, e majta dhe e djathta, nuk arritën të krijonin një model zhvillimi të kapitalizmit shqiptar, për shkak të mungesës së strategjisë dhe konfliktualitetit të lartë që ka karakterizuar qeverisjen e tyre, parakusht për politika afatgjata e të mirëmenduara. Pra, as e majta, as e djathta nuk arritën të krijonin një projekt zhvillimi kombëtar, të cilin ta ndiqnin me besnikëri, pavarësisht rotacionit, ndërkohë që mandatet politike të lidhur me zgjedhjet mbarojnë shpejt, çdo katër vjet.

Në 18 vjet, burimet natyrore u shkatërruan gjerësisht, duke krijuar një ekonomi mbijetese kombëtare, përgjithësisht informale, e cila mbështetej thjesht në vlerën e tyre komerciale, plus krahun e punës, pa ndonjë aktivitet përpunues dhe shumëfishues të vlerës së tyre. Qeveritë e ndryshme toleruan kështu përdorimin brutal të burimeve territoriale, keqpërdorimin e hapësirës për qëllime mbijetese, fitimi të ethshëm, etj., duke mos nxitur prodhimin, duke mos krijuar kushte zhvillimi për iniciativën e lirë, e cila ndoqi shpesh drejtime shkatërrimtare për bashkësinë.

Për këtë arsye, Besnik Aliaj, në artikullin e vet, në Gjeopolitika, e shikon të lidhur "formalizimin e ekonomisë me reformën e territorit". Nuk ka zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, me ritme të shpejta, pa një reformë të territorit, me burimet e të cilit janë ngritur biznese informale. Në triptikun e vet, profesor Fuga, sharton përjetimet aktive të dy udhëtimeve të tij në Poloni dhe në Rivierën shqiptare, me idetë për një reformë të territorit. Më pas vijon një studim mjaft interesant në zonën midis Durrësit dhe Kavajës, studim i profesorit në një veshje të re, bashkë me kolegen Teuta Starova dhe të tjerë. Është kjo zonë një nga provat më të prekshme të abuzimit me territorin, ku zhvillimi i egër i industrisë së ndërtimit dhe i asaj turistike, jo gjithmonë ka sjellë begati, madje as në afat të shkurtër. Anketat bashkangjitur janë dëshmi dhe e perceptimeve publike mbi këtë zonë.

Diskutimet rreth mënyrës sesi shqiptarët e kanë konceptuar në këto 18 vjet territorin, si kanë modifikuar hartën e urbanizimit të tyre, marrin më shumë kuptim nëse udhëtojnë bashkë me vështrimet themelndërtuese të tre sociologëve të shquar, jo thjesht të hapësirës, si Wirth, apo Mumford.

Një përfundim: Dihet se, në fund të fundit, kontrolli mbi territorin është pushtet. Mjerisht s'kemi parë deri më sot që politika e të dy krahëve të ndajë vullnetarisht pushtetin, kështu që diskutimet për një kontroll të mençur të territorit, deri më tani janë përkthyer në luftë për kontrollin e kompetencave mbi të. Ndërkohë, reforma e territorit, apo e tokës dhe zhvillimi i saj, ruajtja e burimeve që kanë mbetur në përgjithësi, në veçanti i tokës, nënkupton domosdoshmërisht një pajtim të madh, një konsensus të madh politik.

Nëse palët po e tregojnë deri diku këtë konsensus me Kodin Zgjedhor, nuk shihet arsye pse nuk duhet ta tentojnë për reformën e territorit, që synohet të jetësohet me anë të projektligjit të fundit, që është akoma në fazë diskutimi. Shumë pasuri të territorit shqiptar janë shkatërruar në mënyrë të pakthyeshme. Ato ç'kanë mbetur duhet të ruhen, para se të jetë vonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›