E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reformimi institucional i MASH-it

Ne na duhet ai arsim që krijon njerëz të aftë të bëjnë gjëra të reja, jo thjesht të përsëritin atë që kanë bërë brezat e tjerë, njerëz që janë krijues, zbulues, shpikës; arsim që formon mendje kritike të afta të verifikojnë dhe jo të pranojnë çdo gjë që u jepet.

Edhe në arsim, reformimi institucional ndryshon shumëçka nga struktura e organizimit të institucioneve, lidhjet e varësisë etj., që të përmirësohet nxënia, e kjo provohet nga arritjet e testuara të nxënësve. Reformimi u besohet agjencive profesionale, që orientohen në rekomandimet e tyre nga praktika aktuale kombëtare dhe ndërkombëtare në administrim. Gjithashtu, kohë pas kohe, bëhen vlerësime të aspekteve të caktuara për të parë ndikimin e ndërhyrjes. Kushdo që klikon në http://www.pad.gov.al/raportMinArsim.pdf, ka mundësi të informohet rreth Raportit për reformimin e strukturës së MASH-it (dhe të disa ministrive te tjera), nëpërmjet të cilit Banka Botërore ofroi asistencë teknike në periudhën 2005-2006. Për plotësimin e objektivave të projektit u shpenzuan 712.274 USD. Kontraktuesi – GOPA Worldwide Consultants – përdori, veç të tjerave, edhe rekomandimet e projekteve të mëparshëm, ku veçojmë “Standardet e performancës për MASH-it”, hartuar nga Telos Group. Kujtojmë se ky ishte ristrukturimi i dytë i MASH-it në intervalin kohor të 5 viteve të fundit.

A dëgjohen profesionistët?

Jo për sa duhet. Dhe kur them kështu, nuk i referohem zgjerimit të hapësirës menaxhuese të Sekretarit të Përgjithshëm, nga 5 në 10 njerëz të kontrollueshëm (!!) Do ta tejkaloj këtë fakt, edhe pse kjo, sigurisht, ndikon mbi strukturën e organizimit dhe efikasitetin e institucionit. Po anashkaloj dhe faktin e ristrukturimit të këtij institucioni, dy vjet pasi u hartuan standardet e performancës për MASH-in, por pa një vlerësim profesional të arritjeve të këtij institucioni. Standardet e performancës janë norma të detyrueshme për t’u arritur nga specialistët dhe njësitë organizative të MASH-it, që orientojnë dhe matin veprimtarinë e çdo specialisti dhe drejtuesi në institucion. Po anashkaloj dhe mjaft elementë të tjerë që kanë rezultuar me efektivitet të ulët, për t’u fokusuar vetëm mbi një ndryshim që iu bë rekomandimeve të ekspertëve. Ndryshimi, çuditërisht, u bë në linjat nëpërmjet të cilave MASH-i mendohet të ndjekë ritmin dhe t’u përgjigjet shqetësimeve të shkollës, prindërve dhe nxënësve; të verifikojë dobinë e politikave që ndërmerr, etj.

Ekspertët e kontraktuar propozuan një strukturë të re për MASH-in, që krijoi hapësirë për dy funksione themelore: mbikëqyrjen dhe menaxhimin e shkollave (fq. 38 e Raportit). Nëpërmjet funksionit të parë, MASH-i do të koordinonte funksionet e inspektimit rajonal, do të pasqyronte arritjet dhe pikat e dobëta të shkollave dhe sistemit dhe do të ndërhynte për të ndihmuar e orientuar zgjidhjen e problemeve. Këndej mundësohet që, mbi bazën e gjetjeve, çdo vit të hartohet ai që prej vitesh i mungon publikut dhe Kuvendit të Shqipërisë: Raporti ministror për cilësinë e arritjeve të nxënësve dhe sistemit. Funksioni i inspektimit do mund të certifikonte për Qeverinë dhe publikun arritjet dhe dobësitë që përftohen në mënyrë të natyrshme gjatë realizimit të projekteve. Po përmend këtu, për ilustrim, vlerësimin e ndikimin në nxënie të “Programit të informatizimit të shkollave”, aq të brohoritur nga Berisha, projekt që këtë vit do duhet të pajisë rreth 1749 shkolla 9-vjeçare dhe 384 shkolla të mesme me kabinetet e informatikës, por që askush nuk di gjë se në çfarë faze ka arritur.

Funksioni i menaxhimit do të lehtësonte procesin e decentralizimit, menaxhimin e performancës në të gjithë sistemin, do të siguronte shërbime këshillimi dhe trajnimi për mësuesit dhe drejtuesit, etj. Konsulenca ndërkombëtare rekomandoi që funksione të tillë të plotësoheshin nga dy drejtori të veçanta.

Nëse i referohesh strukturës aktuale të MASH-it (publikuar dhe në Web-in e saj) gjen se të dy këta funksione plotësohen nga Drejtoria e Inspektimit. Po t’i shtosh kësaj faktin se funksioni i menaxhimit të shkollave plotësohet në këtë drejtori vetëm nga 2 specialistë (!!) dhe do të koordinohet nga një drejtues, i cili përgjigjet si për propozimin e politikave në këtë fushë, ashtu dhe për vlerësimin e ndikimit të tyre (!!), rezulton se vendimmarrësit kanë anashkaluar rekomandimet e ekspertëve, çka të kujton atë maksimën për mjekrën e hoxhës. Kushdo qofshin argumentet e përdorur, zgjedhja e bërë ka zvogëluar mundësitë e MASH-it për të ndihmuar procesin e decentralizimit nëpërmjet menaxhimit të arritjeve të shkollave dhe rajoneve të vendit, proces jetik për kushtet tona të zhvillimit.

Tani le ta shikojmë çështjen nga një optikë tjetër. Telos Group Ltd., një agjenci ndërkombëtare konsulence, në vitin 2004, realizoi projektin për sistemin e performancës së MASH-it. Projekti i siguroi në atë kohë edhe Drejtorisë së Inspektimit një kuadër për përmirësimin e sistemit të saj të punës, duke ndihmuar inspektorët të saktësonin detyrat, të hartonin planet e punës dhe të rritnin cilësinë e shërbimit. Pas kësaj, ka arsye të besohet se drejtoria do të ishte e aftë të përmirësohej progresivisht. Por, duke mos u mjaftuar me këtë shërbim konsulence, në verën e këtij viti, MASH-i prokuron shërbimin e një eksperti ndërkombëtar, i cili, ndër të tjera, do duhet të rishikojë funksionet dhe detyrat për sektorin e inspektimit dhe të zhvillojë përshkrimet e punës për detyrat inspektuese. Thënë ndryshe, çdo gjë duhet filluar nga e para, edhe pse Drejtoria e Inspektimit ka 4 vjet që ka përshtatur, më së paku, një dokumentacion bashkëkohor inspektimi. Nëse bëhej fjalë për ristrukturim, atëherë MASH-i, në vend që ta integronte inspektimin me menaxhimin, do bënte mirë të orientonte shkëputjen e plotë të funksionit inspektues nga struktura e saj. Kujtojmë këtu se në Evropë funksionon Konferenca Ndërkombëtare e Përhershme e Inspektorateve (http://www.sici-inspectorates.org), organizatë që aktualisht bashkon inspektoratet e 25 vendeve evropiane, shumë prej të cilëve nuk varen nga ministri i Arsimit. Madje, në Angli, për të rritur nivelin e objektivitetit në vlerësim, kryeinspektori dhe inspektorët dekretohen nga mbretëresha. Madje, do desha të informoj z. Beja dhe të interesuar të tjerë në fushë, se pak ditë më parë, Kryeinspektorja e Madhërisë së Saj, Christine Gilbert, publikoi raportin vjetor të vlerësimit të arritjeve. Shpresoj se edhe publiku ynë do mund ta ketë së shpejti një raport të tillë.

Çfarë po prodhon reformimi i MASH-it?

Rezultate më të larta nga nxënësit? Vështirë të thuhet, nëse i referohesh Maturës Shtetërore 2008. A nuk konstatuam këtë vit se nota mesatare e rreth 1500 maturantëve në provimin e lëndëve me zgjedhje (theksoj: në lëndët e parapëlqyera nga nxënësit), nuk kalonte më shumë se 6.3!? Në detaje: Biologjia (Nota mesatare 5.9; 29% e nxënësve mbetës); Fizika (Nota mesatare 6.6; 24% e nxënësve mbetës); Kimia (Nota mesatare 6.4; 21% mbetës)!!

Mos ndoshta procesi reformues po ndihmon të hartohen dhe zbatohen manuale dhe procedura më efikase? Sepse dihet, kjo çon në rritjen e aftësisë së menaxherëve për të mbikëqyrur një numër të madh vartësish dhe përgjegjësish funksionale. Një pjesë e përgjigjes mund të gjendet në faqen e Internetit të MASH-it. Atje mund të lexoni: “...në mjediset e Ministrisë ndalohet pirja e duhanit. Për këtë qëllim, në vendet ku lejohet pirja e duhanit, vendosen shenja dalluese... nëpunësi i informacionit mban shënim në një regjistër të veçantë gjitha hyrje-daljet e punonjësve të Ministrisë…Drejtorët e drejtorive të verifikojnë mungesat në punë të punonjësve të tyre dhe çdo të premte të raportojnë me shkrim në Sektorin e Burimeve Njerëzore...Drejtoria e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore dhe Shërbimeve të organizojë kontrolle të herëpashershme dhe të paraqesë pranë Sekretarit të Përgjithshëm informacionin përkatës. Për shkelje të përsëritura, propozohen masa disiplinore…”. Norma sjelljeje tipike për një institucion të asistuar nga ekspertë evropianë (?!), publikimi i të cilave tregon shumë më tepër për mënyrën, me të cilën funksionon sot sistemi i menaxhimit në MASH, dy herë i strukturuar.

Atëherë, kur ndryshimi nuk monitorohet dhe vlerësohet, kur dobësohen lidhjet funksionale dhe organike me shkollat dhe, mbi të gjitha, kur reformimi institucional perceptohet si zgjatje e së djeshmes për të interpretuar të nesërmen, përse vlejnë rekomandimet e ekspertëve? Dhe të gjitha këto ndodhin në botën e re të shekullit 21, në kohën kur qeveritarët tanë nuk lodhen së foluri për përcaktimin drejt Bashkimit Evropian. Por a mjaftojnë vetëm fjalët për të hyrë në Evropë?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›