Konvikti i gjuhëve të huaja i dhurohet universitetit privat
Tiranë- Konvikti i shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja në Tiranë po i jepet me qera kundrejt një çmimi qesharak universitetit privat Luarasi. Pasi Bashkia e Tiranës, si pronare e konviktit, ka dhënë aprovimin për dhënien me qera të kësaj godine, Ministria e Ekonomisë ka nisur procedurat, në mënyrë krejt të heshtur.
Gjithëcka ka nisur kur administratorët e universitetit privat Luarasi, i kanë kërkuar bashkisë së kryeqytetit që ta marrë me qera këtë ndërtesë për llogari të biznesit të tij. Kaq ka mjaftuar që t’i hapet rruga dhënies me qera kësaj godine.
Edhe pse këshilli bashkiak kishte votuar për buxhetin e këtij viti rikonstruksionin e këtij konvikti, ai tashmë është nxjerrë në rrugë dhe po jepet me një çmim fare qesharak, me 300 lekë për metër katrore.
Në këtë konvikt, aktualisht strehohen 100 nxënës, dhe fëmijët jetimë të shtëpisë së fëmijes Zyber Hallulli, e cila është në rindërtim.
Me dhënien e ketij konvikti me qera një universiteti privat, mbesin pa përgjigje disa qyteje, të cilat shtojnë misterin dhe hedhin hijet e skandalit për interesa klienteliste mes qeverisë dhe njerëzve të saj të afërt.
Ku do të shkojnë nxënësit e shkolles së gjuheve të huaja? Përse procedurat janë mbajtur të fshehura dhe përse marrja e tij me qera nuk i është nënshtruar një gare të hapur, për të përfituar një çmim sa më të lartë? Përse nuk u hap procedura për dhënien me qera qëkurse e kërkoi Universiteti Shtetëror i Tiranës, i cili është në kushte skandaloze mësimdhëniejeje si pasojë e mungesës së ambienteve, por u hap kur këtë e kërkoi një universitet privat, i njohur për lidhjet me biznesmenë të afërt me qeverinë?