E Diel, 1 Nëntor 2026

Kop prezanton strategjinë në Vlorë

18/04/2005  Komiteti i Orientimit të Politikave, ka prezantuar dje në qytetin e Vlorës strategjinë për zhvillimin e turizmit në bregdetin jugor. Ngritja e një aeroporti në jug, ndërtimi i një korridori që do të lidhë jugun me veriu etj., janë disa nga pikat kryesore të platformës së PD-së, për nxitjen e turizmit në vend. Në këtë prezantim, merrnin pjesë nënkryetari i PD-së Bamir Topi, si dhe kandidati për deputet në zonën numër 99 përballë kryeministrit Nano, Besnik Aliaj. Ky i fundit është dhe një nga hartuesit e strategjisë për turizmin. Gjatë fjalës së tij, nënkryetari i PD-së tha se takimi i Vlorës, bëhet pas prezantimit në Sarandë të kandidatit Aliaj. “Vijmë pas një takimi dhe një prezantimi të shkëlqyer të Besnik Aliajt në Sarandë, përballë Fatos Nanos. Aliaj, është specialist në fushën e turizmit dhe urbanistikës. Bashkë me të ky është prezantimi edhe i një brezi tashmë mjaft të ri që kanë ardhur në PD, për të dhënë ndihmën e tyre profesionale por edhe politike”, tha Topi. Në fjalën e tij, Aliaj, që është dhe një ndër autorët e platformës, tha se politikat turistike nuk bëhen vetëm në Tiranë, por më së shumti, ato duhet të zhvillohen në bazë. “Dua t'iu premtoj që ne, si specialistë të KOP, do të jemi përkrah lëvizjeve të qytetarëve të Vlorës në interesat e tyre jetike. Ne si KOP, strukturë brenda PD-së, kemi tashmë një plan mjaft të detajuar për zhvillimin e turizmit, si dhe etapat e kalimit të tij në një industri turistike të mirëfilltë”, tha Aliaj. Sipas diskutantëve, në rast se ndiqen politika të mirëfillta për turizmin, atëherë shoqëria shqiptare mund të lëvrojë nga kjo degë e ekonomisë rreth 1.3 miliardë dollarë në vit, nga rreth 700 milionë që mendohet se është sot. Shqetësim për komunitetin e Vlorës, sipas diskutantëve, përbën dhe projektin për ndërtimin e TEC-it në gjirin e Nartës. Sipas pjesëmarrësve në takim, ndërtimi i një industrie të tillë në qytetin e Vlorës, do të ishte shkatërrim për industrinë e turizmit në këtë qytet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›