E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Kandidatët tanë kanë epërsi të madhe morale ndaj të tjerëve

18/04/2005  LSI paraqet kandidaturat në Qarkun e Korçës dhe në Mat

Lëvizja Socialiste për Integrim, dega e Korçës, zhvilloi dje Konferencën e Parë, ku merrte pjesë edhe Kryetari i LSI-së, Ilir Meta dhe n/Kryetarja, Filloreta Kodra. Meta, theksoi në fjalën e tij se, përkrahja mjaft e gjerë që ka gjetur dhe po gjen gjithnjë e më tepër, do ditë dhe më shumë LSI në Korçë, është tërësisht e justifikueshme, pasi LSI është alternativa më përfaqësuese, më dinjitoze dhe më e përgjegjshme, si garancia e vetme, ku mund të gjejnë shprehje aspiratat e korçarëve, për një jetë më të mirë dhe për një shtet më të përgjegjshëm, që të jetë në shërbim të qytetarëve të tij. Duke vazhduar më tej, Meta shprehu besimin për fitoren e LSI-së në Korçë, dhe garancinë për epërsinë e padiskutueshme morale dhe qytetare, të kandidatëve të LSI-së. Kryetari i LSI-së, shpalli gjatë konferencës, edhe kandidatët për deputetë të LSI-së që janë; -Riza Ashimi, kryetari i LSI-së për Korçën në zonën nr.81 -Vasillaq Thimio, specialist i njohur i bujqësisë në zonën nr.80 -Aleksandër Gjoka, pedagog në zonën nr.83 -Filloreta Kodra, Nënkryetare e LSI-së në zonën 84. Konferenca që përbëhej nga 530 delegatë të rrethit të Korçës, të cilët përfaqësonin 2500 anëtarë të LSI-së në këtë rreth, zgjodhi Kryetar të LSI për Korçën, Riza Ashimi, 35-vjeç, me profesion ekonomist, anëtar i Këshillit Bashkiak të Korçës. Ndërkaq, dje në Mat, nënkryetari i LSI-së, Sokol Axhemi, së bashku me anëtarin e Komitetit Drejtues Kombëtar, Abdi Basha, prezantuan kandidatët për deputetë Agim Hysën, inxhiner, dhe Besnik Sanën, me profesionin e juristit dhe ushtarakut. Në fjalën e tij, Axhemi theksoi se edhe Mati, si një ndër vlerat e LSI-së, do t’i bashkohet fitores së LSI-së në të gjithë Shqipërinë. "Varfëria e madhe që është ulur këmbëkryq në Mat, shkaktuar nga harresa e madhe e qeveritarëve të papërgjegjshëm, do të përballet fuqishëm me moralin politik të LSI-së, që është kthimi i dinjitetit tek qytetari, nëpërmjet politikës në shërbim të tij", tha Axhemi.

LSI nis përzgjedhjet në Shkodër

Lëvizja Socialiste për Integrim, ka vijuar dje takimet me elektoratin në Shkodër, ku pretendon që të fitojë një ose dy zona. Shkodra është njohur si qytet që ka dhënë mbështetje të përhershme për demokratët. Dje, Nënkryetari i LSI-së, Prof.Dr. Sokol Axhemi, zhvilloi një takim me strukturat drejtuese të LSI-së në Shkodër dhe Malësi të Madhe. Në këto takime u theksua angazhimi që duhet të kenë strukturat e partisë, për të përballuar betejën elektorale, për të realizuar objetivat politike të LSI, për të dalë forcë e parë politike në zgjedhje. Nga ana e tyre, drejtuesit e LSI në Shkodër dhe Malësi të Madhe, e informuan Nënkryetarin Axhemi, për përgatitjet që po bëhen në të gjithë zonat elektorale të këtyre dy rretheve, për të qenë të mirëorganizuar për fushatën elektorale, duke krijuar të gjitha mundësitë për fitoren e kandidatëve të LSI-së. Burimet thanë se, një nga kandidaturat më të përfolura për Shkodrën, është nënkryetari i Lëvizjes Rinore për Integrim, Dritan Ylli. Kjo, dhe për vetë faktin se, Ylli është i lindur në Shkodër, ku ka dhe një mbështetje të konsiderueshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›