E Diel, 1 Nëntor 2026

PS mbledh kryesinë për kandidatët

18/04/2005  Në mbrëmje krerët socialistë do të përcaktojnë konkurentët dhe strategjitë me aleatët

Nis zyrtarisht fushata elektorale e partisë qeverisëse

Partia Socialiste do të zhvillojë sot mbledhjen e Kryesisë së Partisë, ku do të merret në shqyrtim lista e kandidatëve për deputetë. Burimet kanë bërë të ditur se, në mbrëmje, socialistët do të vendosin dhe datën e mbledhjes së Komitetit të Përgjithshëm Drejtues, i cili do të jetë përcaktues në zhvillimin e fushatës elektorale. Paralelisht me këto, PS do të përcaktojë dhe pikat kryesore të strategjisë elektorale, e cila do të jetë në thelb të programit të punës së qeverisë, në rast se kjo forcë politike do të fitojë zgjedhjet.

Emrat

Burimet kanë bërë të ditur se gjatë mbledhjes së kryesisë së PS-së, nuk priten ndryshime të mëdha në listën e kandidatëve për deputet, që janë botuar tashmë nga mediat shqiptare. Në zyrat e PS-së, tashmë është vendosur që lista të ketë më shumë emra të rinj, që kanë marrë konfimimin, edhe nga elektorati në bazë. Megjithatë, në mbrëmje do të përcaktohen dhe politikat që do të ndiqen me aleatët në koalicion, pasi në tryezë janë hedhur dy propozime. Së pari, qëndron formula ku PS mbështet aleatët në proporcional, ndërsa do të kërkojë mbështetjen e tyre në mazhoritar. Me këtë formulë, PS pretendon të rimarrë shumicën e mandateve në kuvend, për të arritur në miratimin e qeverisë së ardhshme. Ndërsa formula e dytë, është e bazuar në mundësinë e zonave të lira. Ky propozim, duket se nuk ka gjetur mbështetje mes aleatëve të koalicionit për integrim, pasi nuk sigurohen mandatet e duhura për të arritur në miratimin e qeverisë.

Strategjia

Burimet nga Kryesia e Partisë Socialiste, kanë bërë të ditur se, tashmë ka përfunduar strategjia që do të ndjekë PS-ja gjatë fushatës elektorale si dhe pas saj. Për këtë, mësohet se shëndetësia, arsimi, ndërtimi i rrugëve, strehimi dhe sistemi i pagave, do të jenë prioritetet e PS-së. Madje, në takimet e zhvilluara së fundmi, kryeministri Fatos Nano, ka theksuar se në katër vitet e ardhshme, do të ketë një rritje të ndjeshme të pensioneve si dhe një dyfishim të pagave. Megjithatë, strategjia elektorale do të paraqitet e plotë, vetëm në mbledhjen e Kongresit të Partisë Socialiste, më datën 30 prill. Në këtë mbledhje, do të deklarohet dhe nisja zyrtare e fushatës elektorale të Partisë Socialiste.

PS tryezë me shoqërinë Civile

PS, do të nisë sot takimet me përfaqësues të shoqërisë civile, ku do të diskutohet mbi fusha të ndryshme. Burimet thanë se strategjia e PS-së, do të konsultohet me specialistët dhe më pas, do të marrë formën e saj përfundimtare. Kështu, gjatë kësaj jave pritet të zhvillohen tryeza për arsimin, shëndetësinë, investimin në turizëm dhe për çështjet e sistemit të pagave. Ndërsa javën e ardhshme, priten tryeza për çështjet e strehimit dhe për problemet e ekonomisë në tërësi. Burimet thanë se tashmë në kryesinë socialiste, është bërë gati programi i takimeve dhe janë bërë ftesat përkatëse për specialistët. Veç ngritjes së problemeve, tryezat do të synojnë dhe vjeljen e mendimeve të ndryshme, që mund të implementohen në strategjinë që do të marrë formën përfundimtare, në kongresin që do të zhvillojnë socialistët në fund të muajit prill. Në tryeza, pritet që të marrin pjesë anëtarët e kryesisë së PS-së, si dhe ministrat e kabinetit qeveritar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›