E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çekia: E mirëpresim aplikimin e Shqipërisë

 

Çekia mirëpret aplikimin e shpejtë të Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Këtë e bëri të ditur dje zv.ministri i Jashtëm i Çekisë, Tomas Pojar, gjatë një takimi me ministren tonë të integrimit, Majlinda Bregu. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Ministrisë së Integrimit “Zv. Ministri çek theksoi faktin se Çekia që mban tashmë presidencën e radhës së BE-së, jo vetëm e mirëpret aplikimin e shpejtë të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, por ofron gjithë mbështetjen e saj për implementimin e detyrimeve që rrjedhin në këtë etapë të re të procesit”. Sipas Pojar, aplikimi i Shqipërisë nuk varet dhe nuk ka lidhje me aplikimet e vendeve të tjera të rajonit, por vetëm me krijimin e kushteve të favorshme për shqyrtimin e kërkesës për aplikim në një kohë sa me të shpejtë nga Këshilli. Gjatë këtij takimi u diskutua rreth hapave të mëtejshëm të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe reformave që dikton ky proces. Ministrja Bregu vlerësoi ndihmën e Pojar për mbështetjen e presidencës çeke në procesin integrues të Shqipërisë në përgjithësi, për rolin e tyre mbështetës në takimet e Këshillit dhe veçanërisht, inkurajimin që vendi ynë të aplikojë gjatë presidencës çeke. Një ditë më parë, Ministri i Jashtëm çek Karel Schëarzenberg theksoi se “ndoshta do të ketë zgjedhje të suksesshme, dhe nëse dëshmohet se do të zhvillohen me sukses të plotë ky do të jetë rekomandimi më i mirë për Shqipërinë dhe për këtë gjë nuk ka asnjë dyshim. Ne do të ishim shumë të lumtur nëse Shqipëria aplikon gjatë presidencës tonë, atëherë ndoshta procesi do të marrë pak kohë dhe gjatë presidencës suedeze që është po kaq mikpritëse sa presidenca jonë, unë jam i sigurtë se Carl Bild do t’ju mbështesë po aq sa ju mbështes dhe unë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›