Kopjet në provime, 220 maturanë rrezikojnë shkollën
BURREL/Maturantët e gjimnazit "Pjetër Budi" nuk kanë ende përgjigje lidhur me rezultatet e provimit me zgjedhje
BURREL - Rreth 220 maturantë të shkollës së mesme "Pjetër Budi" në Burrel rrezikojnë të penalizohen nga provimet me zgjedhje dhe shkak për këtë është dyshimi se ata mund të kenë kopjuar gjatë provimeve.
Kjo bëhet e ditur nga vetë maturantët e kësaj shkolle, të cilët ende nuk janë njoftuar për rezultatet e provimit me zgjedhje, ndërkohë që kanë mbetur fare pak kohë nga plotësimi dhe dorëzimi i Formularit A2. Ndërsa në media janë publikuar pos rretheve të tjera, edhe notat e 800 maturantëve të këtij rrethi, maturantët e kësaj shkolle ende nuk dinë cilat janë rezultatet e tyre.
Të indinjuar nga ky fakt ata kanë trokitur në Zyrën Arsimore të Rrethit të Matit dhe kanë kërkuar sqarime në lidhje me mosdhënien e rezultateve dhe penalizimin që mund t'u ngjasë. Drejtuesit e arsimit në këtë rreth i kanë sqaruar se Ministria e Arsimit ka bllokuar përkohësisht rezultatet e disa shkollave në shkallë vendi dhe po studiohen me hollësi nga specialistët e saj për mundësinë e kopjimit.
Nga burime konfidenciale mësohet se i gjithë ky pështjellim lidhet me faktin se mendohet që jo pak prej maturantëve të kësaj shkolle kanë kopjuar dhe se testet e tyre janë pothuaj fotokopje e tjetrit. Sipas rezultateve të përftuara, del se maturantët e Burrelit kanë dalë më të mirët në vend dhe falë notave që kanë përfituar, duhet të zgjedhin degët më të mira në shkollat e larta të vendit.
Por me sa duket, inspektorët e MASH-it janë të mendimit se ka pasur kopje ditën e provimit me forma të ndryshme. Gjë që është parë dhe në disa shkolla të tjera ku rezultatet kanë qenë shumë të larta me teste krejt të njëllojta. I pyetur për këtë fakt, drejtori i Zyrës Arsimore Mat, Flamur Stefhasani, u shpreh për gazetën "Shekulli" se gjithçka po e filtron një komision i ministrisë për këtë shkollë dhe pritet që rezultatet të dalin sa më shpejt.
Por sipas tij shkolla "Pjetër Budi" është më e mira në këtë rreth. Gjithsesi fjalën e fundit pritet ta thotë komisioni i ministrisë. Dhe nëse do të ketë penalizime, dy rrugë janë të mundshme: lënia një vit pushim e nxënësve ose përsëritja e provimit me zgjedhje.